Dhoma Amerikane: Eleminoni taksat 3 muaj, fond me kredi të buta për biznesin

Bizneset kërkojnë marrjen e një pakete lehtësuese nga ana e qeverisë shqiptare, në mënyrë që masat e marra kundër përhapjes së virusit COVID-19 të mos shkaktojnë pasoja të rënda financiare për ekonominë dhe aktivitetin e tyre.

Në një deklaratë për shtyp, Dhoma Amerikane e Tregtisë mbështet nismat e ekzekutivit për minimizimin e efekteve në shëndet të koronavirus, por insiston që të krijohet edhe një plan i kombinuar masash për sipërmarrjen:

“Të shtyhet afati ligjor për depozitimin e pasqyrave financiare, formularit për deklarimin e pagesës së tatimit mbi fitimin dhe njoftimit vjetor për transaksionet e kontrolluara. Të eleminohen detyrimet fiskale për të paktën 3 muaj, ndërsa për bizneset në sektorin e turizmit 6 muaj”.

Bizneset fasonë kanë nisur punën, por jo me kapacitet të plotë. Ata kanë dezinfektuar ambientet dhe po respektojnë distancën e punonjësve. Florion Zekja i Dhomës Kombëtare të Veshjeve thotë se një pjesë e kompanive kanë probleme me transportin e punonjësve.

Dhoma Amerikane i rekomandon qeverisë që të mendojë edhe për një paketë shpëtimi për biznesin duke krijuar një fond për dhënien e kredive të buta për ta.

“Të krijohet një fond emergjence që do të mundësojë akses në kapital me anë të kredive të buta dhe granteve, në mënyrë që bizneset të përballojnë efektin negative të kësaj periudhe”.

Fasonët për momentin kanë më shumë probleme nga Italia, kompanitë andej po anulojnë porositë.

Qeveria është duke përgatitur një paketë masash për të eliminuar efektet financiare e cila do të publikohet ditën e enjte.

Tv Klan