Kërkoni të blini apo të shisni do e keni gati të pamundur për shkak se ky proces vazhdon të mbetet i bllokuar. Disa muaj më parë qeveria u hapi dritën jeshile ngritjes së komisioneve rajonale për verifikimin e ligjshmërisë së titujve të pronësisë.

Të shpërndarë sipas ligjit 7501, por teknikisht duke mos nxjerrë aktet e duhura nënligjore, ka futur këtë proces në një rrugë pa krye. Prefekti i Tiranës Rruzhdi Keçi, pohoi për televizionin Klan shqetësimin për bllokimin e dhënies së titujve të pronësisë.

Rruzhdi Keçi: “Pa dyshim që situata për momentin mbetet e bllokuar. Asnjë qytetar nuk mund të bëjë regjistrimin e pronës në zyrën e regjistrimit të pasurisë pa marrë këtë konfirmim ligjshmërie nga ky komision. Për të patur një vendimmarrje të këtij komisioni ende pritet që nga organet eprore, qoftë qeveria, qoftë komisioni qeveritar i tokës të plotësohet kuadri ligjor me akte nënligjore të tjera. Dhe një nga, ndoshta më kryesorët është miratimi i një modeli pra ti ri të aktit të marrjes së tokës në pronësi. E thënë ndryshe të tapive.”

Janë me qindra aplikime që mbërrijnë çdo ditë pranë komisionit vendor të verifikimit. Dhe në pamundësi për të marrë verifikimin e titujve të pronësisë qytetarët dhe bizneset nuk mund të vijojnë më tej me regjistrimin e transaksioneve në zyrat e hipotekës.

Rruzhdi Keçi: “Toka bujqësore nuk mund të regjistrohet pa kaluar në këtë komision dhe pa u verifikuar ligjshmëria e tillë e pronësisë ekzistues deri më sot. Për momentin ne e kemi të regjistruar, pra mbi 350 të tilla, ankesa qytetarësh. Nuk është fjala thjesht ankesa, kërkesa për verifikim ligjshmërie.”

Ngrirja e procesit dëmton jo vetëm qytetarët, por edhe bizneset. Prefekti i Tiranës shprehet se kërkesat më të mëdha për verifikime mbërrijnë nga komunat përreth Tiranës. Zona të shndërruara tashmë në parqe të  pashpallura industriale apo zona rezidenciale. /tvklan.al

Gazetar: Fjorald Zguro