Artur Balla dhe Bledar Lilo mohojnë akuzat për pastrim parash

Gjykata e Posaçme konfirmoi masat e sigurisë “Arrest në burg” për Artur Ballën dhe Bledar Lilon, të vënë në pranga dy ditë më pare si pjesë e një grupi ndërkombëtar kriminal. Ata akuzohen për përfshirje në skemën e pastrimit të parave bashkë me biznesmenin e hidrokarbureve Rezart Taçi, të organizuar nga Francesco Zummo, një biznesmen italian i dyshuar për lidhje me mafien.

3 të akuzuarit përfshirë edhe Taçin kanë mohuar akuzat e ngritura nga SPAK duke pretenduar se në të vërtetë ata thjeshtë kanë shoqëruar shtetasit italian në lëvizjet që kanë kryer në Shqipëri për hapjen e llogarisë bankare. Avokati i Bledar Lilos tha para gjykatës se klienti i tij, ka bërë vetëm shoqërimin e Francesco Zumo dhe ekonomistit Fabio Petruzzella ditën kur kanë shkuar në bankë.

Megjithatë hetimet e Prokurorisë së Posaçme dhe asaj të Palermos, tregojnë përgjime që ngrenë dyshime se Taçi do bënte transferimin e mbi 18 milionë eurove nga Shqipëria në një llogari tjetër nëpërmjet kompanisë së tij.  Një nga përgjimet më të rëndësishme rezulton e regjistruar në maj të këtij viti, mes Taçit dhe Petruzzellës. Sipas dy prokurorive përgjimet vërtetojnë që biznesmeni do të merrte përqindjen e tij për këtë veprim dhe kishte ngarkuar Ballën dhe Lilon për këtë punë.

Vlera monetare në emër të Francesco Zummo, sipas hetimeve, rezulton se është transferuar nga Fabio Petruzzella, në një bankë në Zvicër dhe prej andej, në gusht të këtij viti është transferuar në një bankë  të nivelit të dytë në Shqipëri.

Tv Klan