Departamenti Amerikan i Shtetit në raportin e përvitshëm për Klimën e Investimeve vlerëson se Shqipëria pavarësisht tre goditjeve që pësoi si tërmeti i 26 nëntorit të pesë viteve më parë, pandemisë së COVID dhe ndikimit të agresionit rus në Ukrainë ruajti qëndrueshmërinë ekonomike.

“Shtetet e Bashkuara vlerësojnë se Shqipëria vazhdon të ruajë qëndrueshmërinë e saj makroekonomike, pavarësisht tre goditjeve të njëpasnjëshme siç ishin, tërmeti i vitit 2019, pandemia COVID-19 dhe ndikimet ekonomike të agresionit rus në Ukrainë. Pas një tkurrjeje prej 3.5 për qind në vitin 2020, ekonomia e Shqipërisë u rikuperua, duke u rritur me 8.9 për qind në vitin 2021, 4.9 për qind në 2022, me vlerësime që e vendosin rritjen e vitit 2023 në 3.4 për qind”.

Departamenti Amerikan i Shtetit në këtë raporton thekson se megjithatë, zhvillimi ekonomik i Shqipërisë mbetet i cenueshëm nga korrupsioni i përhapur, konkurrenca e pandershme, sektori joformal dhe mungesa e vazhdueshme e fuqisë punëtore. Teksa vlerëson reformat e ndërmarra.

“Shqipëria ka një potencial të madh ekonomik, një kuadër ligjor të shëndoshë dhe ka bërë përparim në kufizimin e korrupsionit në nivel të ulët, duke digjitalizuar shërbimet publike si për qytetarët ashtu edhe për bizneset”.

DASH-i thekson se të drejtat e pronësisë vazhdojnë të paraqesin sfidë në Shqipëri, teksa përmend faktin që Shqipëria ndërmori reformën në drejtësi për të luftuar korrupsionin duke theksuar se vendi ka organe funksionale dhe të pavarura kundër korrupsionit, duke përfshirë Zyrën e Prokurorisë së Posaçme  dhe Byronë Kombëtare të Hetimit pjesë e Strukturës së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, SPAK.

Me tej theksohet se reforma në drejtësi mbështetet shumë nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian dhe zbatimi është në vazhdim, me pritshmëri që suksesi i saj të përmirësojë përfundimisht klimën e investimeve në vend.

Tv Klan