Vendimi i Gjykatës Kushtetuese për pezullimin e ligjit të lustracionit e ka zhvendosur debatin mes mazhorancës dhe opozitës në sallën e kuvendit, duke e cilësuar një qëndrim politik të ndërmarrë në konflikt të hapur interesi.

Deputetët demokratë u shprehën se me këtë vendim Gjykata Kushtetuese vijon të mbetet peng i së kaluarës dhe dosjeve të komunizmit.

Astrit Patozi: “Gjykata Kushtetuese tregoi që është peng i së kaluarës, peng i dosjeve. Ne sigurisht nuk befasohemi shumë për vendimin e sotëm, sepse ne e dimë që ju keni një trim atje që quhet, Fehmi Abdiu. E dimë që ka dhe të tjerë si ai, por kjo është Gjykata Kushtetuese dhe Gjykata Kushtetuese nuk mund të gjykojë absolutisht me konflikt interesi. Kur flet sovrani, të gjithë heshtin dhe Gjykata Kushtetuese nuk është sovrane.”

Aldo Bumçi: “Ky qëndrim politik nuk ka asnjë moral njerëzor që ta justifikojë dhe edhe veshja me petkun e kushtetutshmërisë të dëgjohet mbrojtjes së të drejtave të njeriut, nuk i jep asnjë legjitimitet këtij vendimi. Këtij morali shoqërisë shqiptare nuk mund të gozhdohet, nuk mund të kryqëzohet nga mbetjet e partisë së punës në Partisë Socialiste të Edi Ramës apo Gjykatën Kushtetuese apo institucione të tjera”.

Pandeli Majko: “Sot ju këtu, mendoj të dashur kolegë dhe të gjithë ne bashkë duhet të skuqemi se e gjithë ajo që u bë këtu doli një bllof fund e krye dhe ky bllof duhet thënë kështu siç është sepse ligji i lustracionit nuk është ligj për të dënuar. Është thjesht për të hequr nga puna ca që kanë mbetur pa dalë në pension. E thënë më troç dhe për të pastruar ca njerëz që i kanë nxjerrë ca probleme kësaj qeverie në sistemin e drejtësisë”.

Por vendimi i dhënë nga kushtetuesja për pezullimin e ligjit të lustracionit nuk ishte i vetmi debat që përfshiu sallën e kuvendit.

Duke u fokusuar edhe tek procesi i pajisjes së qytetarëve me letërnjoftime elektronike opozita risolli në vëmendje kërkesën e saj për ngritjen e një komisioni ad hoc, me argumentin se një muaj pas nisjes së tij ky proces mund të quhet i dështuar.

Kërkesa e deputetëve socialist për kryesimin e këtij komisioni nga opozita u hodh poshtë nga kreu i grupit të demokratëve, Astrit Patozi, i cili tha se qëllimi i socialistëve nuk është të monitorojë procesin, por të hedhë baltë mbi të.

Për këtë arsye Patozi u shpreh se mazhoranca mbetet e vendosur në qëllimin e saj nisur nga praktika parlamentare për ngritjen e një komisioni bipartizan./tvklan.al

Gazetar: Jolldiz Mitro