Ismajli mungon për Kilin dhe Suedinë

Këtë të premte, trajneri i kombëtares Sylvinho do të bëjë publike listën e futbollistëve që do të grumbullojë për dy miqësoret, ndaj Kilit që do të luhet në Parma të Italisë dhe ndaj Suedisë në Stokholm.

Lajm i keq është se grupit do t’i mungojë Ardial Ismajli. Mbrojtësi i Empolit ka pësuar një dëmtim të lehtë në kofshë, por që gjithsesi nuk do ta ketë të mundur të luajë. Sipas klubit, mbrojtësi ka nisur menjëherë rikuperimin me stafin mjekësor. Në vend të tij, Sylvinho ka disa futbollistë që mund të zgjedhë. Arlind Ajeti është veteran me kombëtaren dhe i gatshëm.

Ai ka qenë i rregullt në ndeshjet e klubit të tij Cluj në Rumani. Nga ana tjetër me 23 ndeshje të plota nga 26 është edhe Jon Mersinaj i Lokomotivës së Zagrebit. Të njëtin pozicion si Ismajli mbulon edhe Kumbulla, por mbrojtësi i Sassuolos ka luajtur vetëm dy ndeshje.

Shqetësim për trajnerin e kombëtares është edhe Jasir Asani. Forma e sulmuesit të djathtë është e paqartë pasi ndeshjen e fundit zyrtare, ai e ka luajtur në 3 Dhjetor të vitit 2023. Sa për pjesën tjetër të futbollistëve, gjendja është e mirë dhe ata kanë patur minuta në kampionatet e tyre.

Tv Klan