Ditën kur hyn në fuqi kushtetuta e re me 15 qershor ligjvënësit kosovarë duhet të miratojnë edhe himnin e shtetit të Kosovës. Një grup i posaçëm tashmë ka përzgjedhur tri propozime të mundshme për himn nga mbi 100 sa kishin konkurruar. Këto propozime tani duhet t’i nënshtrohen një debati mes përfaqësuesve të partive politike, në mënyrë që njëri prej tyre të procedohet në kuvend.

Zëvendëskryeministri Hajredin Kuqi është i bindur se do të përzgjidhet himni më i mirë.

Hajredin Kuqi: “Ne kemi bërë punën tonë, kemi përfunduar në tri propozime, ato propozime do t’i dërgojmë tani në organet vendimmarrëse, sikur është paraparë për procedurë paraprakisht dhe duhet besoj që më së largimi, 15 qershor kur hyn edhe në fuqi Kushtetuta e Republikës së Kosovës, Kosova do të jetë e kompletuar edhe me simbolet e saja shtetërore përfshirë edhe himnin. Dua ta them prej 134 propozimeve asnjëri nuk ka qenë në frymën e kundërshtimit sa i përket kritereve politike në raport me himnin, sa i përket kritereve artistike mendoj se kemi bërë një përzgjedhje të mirë .”

Në bazë të pakos së Marti Ahtiarit simbolet shtetërore, flamuri, stema dhe himni duhet të reflektojnë karakterin shumetnik të Kosovës, mbi këtë bazë duhet të përzgjidhet edhe himni i Kosovës. Kompozitori Rafed Rudi thotë, se ideali do të ishte sikur himni i Kosovës të kishte elemente autoktone, mirëpo ai pranon se himnet e shteteve jo domosdoshmërish kanë elemente nacionale, këtu kompozitori Rudi përmend himnin e republikës së Shqipërisë.

Rafed Rudi: “Himni në një farë mënyre duhet të reflektojë elemente dalluese të muzikës autoktone, në anën tjetër ai duhet të tregojë në një farë mënyre aspiratën e këtij vendi drejt integrimeve europiane.”

Sipas burimeve të televizionit Klan, me qëllim të ikjes nga debatet që mund të lindin më pas himni i Kosovës nuk do të ketë fare tekst./tvklan.al