Portieri i Italisë, Gianluigi Donnarumma, i firkësohet Shqipërisë, në prag të ndeshjes së parë në Europian.

“Gardiani” i kombëtares azzure, deklaroi në konferencën për shtyp, se sfida me kuqezinjtë, është e sikletshme për të hapur Europianin.

Sipas tij, Shqipëria mund të hapë probleme në kundërsulm, për shkak të shpejtësisë së lojtarëve.

“Shpirti i garës do të jetë i njëjtë si ai i tre viteve më parë. Do të përpiqemi të përjetojmë netët magjike të Euro 2020. Unë tentoj gjithmonë të jap gjithçka nga vetja. Jemi gati për ndeshjen e parë.

Sigurisht që ndeshja me Shqipërinë do të jetë e sikletshme për të debutuar në Europian. Do të jetë një duel me kurthe. Shqiptarët janë të zotë dhe kanë futbollistë të shpejtë.

Ata bëjnë një futboll të bukur, kështu që duhet të japim me çdo kusht 100% nga vetja. Për kualifikimin më tej, ndeshja me Shqipërinë është shumë e rëndësishme.

Ata janë të shkathët dhe të shpejtë. Kemi parë disa video të Shqipërisë, kanë futbollistë shumë të fortë në aspektin individual. Duhet të qëndrojmë afër njëri-tjetrit, pasi Shqipëria është e rrezikshme në kundërsulmet e shpejta.

Ndeshja fitohet në minutën e parë, por edhe në të fundit. Duhet të kemi ekuilibër në fushë, është shumë e rëndësishëm që të mos zgjatemi shumë si skuadër dhe të mos u lejojmë hapësira”, deklaroi Donnarumma.

Të gjitha ndeshjet e Euro 2024, do të transmetohen ekskluzivisht në Tv Klan. /tvklan.al