Lajme Arkiva – TV Klan 2003

Dhjetëra kilometra larg qytetit të Librazhdit, përball malit të Sopotit, ndodhet fshati Dragostunjë. Një fshat, që përveç të tjerave, njihet edhe prej familjes së Gurrajve, prej shekujsh shtëpia e hoxhallarëve. Trashëgimi ka mbetur që nga katragjyshi, të cilin imami i tanishëm i fshatit Faik Gurra nuk e mban mend. Së bashku me Maliqin dhe Zyberin, ata janë tre vëllezër, të tre hoxhallarë, që njihen nga Komuniteti Mysliman Shqiptar.

Gazetarja:- Edhe 300 vjet më parë sipas banorëve, xhamia ka qenë e ngritur pikërisht në këtë vend. Në vitin 1942 ajo është rindërtuar pas bombardimeve të Luftës së Dytë Botërore. Në vitin 1967, diktatura e Hoxhës e ktheu në një magazinë grumbullimi për kooperativën e fshatit Dragostunjë. Pas viteve 90, me pak investime të vetë banorëve, xhamia është rihapur përsëri, tashmë për të mbledhur këtu rreth 85% të banorëve të fshatit, të cilët shohin pikërisht këtë vend, si vendin e kultit të faljes së tyre.

Por 5 vjet më parë në një prej lagjeve të fshatit, disa kilometrave prej këtej, një prej vëllezërve Zyberi ngre në një vend të thyer një xhami të re. Është pikërisht kjo xhami, që sipas banorëve të Dragostunjës, por edhe vetë vëllezërve të Zyberit, ka sjellë përçarje dhe konflikt në fshat. Faiku që është edhe hoxha i fshatit thotë, se në xhaminë matanë rrugës, predikohet islami ndryshe nga ç’kanë mësuar nga paraardhësit e tyre dhe në këtë rrymë të re islame, i vëllai i tij i vogël Zyberi është predikuesi kryesor.

Imami Faik Gurra:- “Para tre-katër vjetësh na lindi një mosmarrëveshje mes njëri-tjetrit, në drejtim të kushteve të islamit. Ata kërkojnë t’i ndryshojnë, unë kërkoja të mbaja atë që kishim mësuar, sepse familja ime përbëhet prej katër brezash hoxhë, përfaqësues të fshatit. Ata kërkuan të bëjnë disa ndryshime edhe arriti deri në atë shkallë, që ata ndërtuan xhaminë më vete në fshatë. Jemi tre vëllezër, dmth. dy vëllezër dhe dy motra jemi në një krah, ndërsa ky ka marrë rrugën tjetër”.

Gazetarja:- Ju keni folur me vëllain tuaj, përse u soll ky ndryshim, ose kush është fakti i këtij ndryshimi?

Imami Faik Gurra:- “Fakti i këtij ndryshimi, tani ai thotë, baba, gjyshi, nuk ka studiuar deri në këtë nivel që kam arritur unë edhe kështu që nuk e kanë ditur, se edhe kështu mund ta veprojnë, ndërsa ne mbajmë atë që ka pasë baba, gjyshi, katragjyshi, por kështu siç shohim edhe në vende të tjera”.

Por për Faikun, më shumë se sa kontradiktat teologjike me të vëllain, më problem mbetet përçarja që islami që del nga xhamia e re ka sjell në fshat.

Imami Faik Gurra:- “Familja jonë trashëgon prej katër-pesë brezash hoxhë. Atëhere, unë kur u martova, baba bëri dasmë, por edhe gjyshi kur martoi babanë bëri dasmë, këta nuk i pranojnë këto, dasmë jo, në ceremoni mortore kërkojnë të bëjnë ndryshime në varrime, kërkojnë të bëjnë ndryshime edhe në falje, të mos shkojmë në dasma etj. Ne pak apo shumë jemi një familje e njohur ftohemi për dasma, për gëzime, për mevlute, këta nuk pranojnë as këtë. Kjo është kundërshtim feje, kundërshtim të rregullave që i kanë ushtruar gjyshllarët tanë më përpara, këta i refuzojnë këto, kështu që ne kemi kontradikta”.

Hapjen e xhamisë së re edhe banorët e kanë parë me dyshim. Ata mbeten skeptikë ndaj mënyrës së re të të sjellurit, të veshurit, të komunikimit, ajo e ambientit social ku jetojnë besimtarët e rrymës së re. Fshatari 65 vjeçar Hazizi, i cili ndodhet për vizitë në shtëpinë e imamit të fshatit, tregon se si vjen nga dhjetëra kilometra dhe dy orë larg në këmbë, vetëm për t’u falur në xhaminë e vjetër. Ai thotë se nuk i pranon besimtarët e rinj, për shkak të ndryshimit të zakoneve.

Hazizi:- “Vazhdimisht fshati jonë është falur në këtë xhami dhe i është besuar kësaj rruge. Tani këtu që na shqetëson dhe nuk mund të pajtohemi me atë, shohim dhe kemi bindjen që diçka nga ata janë të shitur nga financa. Duke parë që as nuk mbjellin, as nuk korrin, ku i gjejnë të ardhurat? Nga kjo anë ne nuk mund të besojmë atë krah, por marrim mundimin dhe një herë në javë, për ditë të premte vijmë falemi këtu tek hoxha i fshatit dhe 90% e fshatit po këtu vjen”.

Era e re e ndryshimeve në këtë fshat, më tepër se burrat ka goditur gratë. Përveçse u ndalohet komunikimi me meshkujt dhe detyrohen të mbulohen me perçet e zeza, femrat e familjeve që falen në xhaminë e re në majë të malit, sipas banorëve të Dragostunjës, po i detyrojnë të martohen brenda fisit dhe me kushërinjtë e tyre. Gratë e martuara me pjesëtarë të grupit të besimtarëve të xhamisë së re, detyrohen të ndajnë burrat me gra të tjera. Sipas interpretimit që burrat e tyre i bëjnë Kuranit, ato duhet të pranojnë edhe poligaminë, nëse bashkëshortët e tyre ua kërkojnë atë.

Në fshat, djali i vogël i familjes së hoxhallarëve Zyberi, ndërtuesi dhe frymëzuesi i xhamisë së re, shihet me dyshim, sepse vite më parë ishte ai që kundërshtoi të vëllanë dhe solli frymën e përçarjes në fshat. Vetë hoxha radikal Zyberi, nuk pranon të intervistohet në kamera, pasi thotë se nuk është aq i ditur sa ta bëjë këtë, por jashtë kamerës, ai pranon kontradiktat me të vëllain, hoxhën e fshatit. Siaps tij, çdo gjë në këtë jetë bëhet për Allahun, or është i vëllai që ka devijuar nga kjo rrugë. Të gjitha ritet që predikojmë ne thotë ai, nuk janë të reja por janë në Kuran, vetëm se ne i lexojmë ndryshe.

Por kundër hoxhës radikal Zyberit ka dalë edhe njëri prej djemve të tij. Haruni ka braktisur xhaminë e të atit dhe interpretimin që ai i bën islamit, për t’u falur pranë xhaxhait të vetë, që predikon Kuranin në mënyrën tradicionale. Vëllezërit jetojnë prej vitesh në një çati dhe nuk komunikojnë me njëri-tjetrin, për shkak të besimit. Por ndarja nuk mbetet vetëm tek interpretimi i ndryshëm i Kuranit. Kjo shtëpi e re që sipas banorëve po ngrihet mbi themelet e një kishe është e hoxhës radikal Zyber Gurrës. Sipas imamit të Dragostunjës, ky është një tjetër që ndanë dy hoxhët e dalë nga i njëjti besim.

Ndarja mes dy hoxhëve, dy xhamive dhe dy pjesëve të fshatit është e thellë. Banorët thonë, se feja duhet të sjellë paqe dhe jo përçarje, por në Dragostunjë ka ngjarë tragjikisht e kundërta. Maliq Gurra vëllai i tretë është hoxhë në fshatin fqinj në Rajcë. Ai pohon se në konfliktin midis tyre mungon dialogu, por është i qartë se me kë nga vëllezërit e bashkon feja./tvklan.al

Gazetare – Eva Paja