Lajme Arkiva – TV Klan 2003

Ka vetëm 10 ditë që ka nisur të zbatohet ligji nga parlamenti për piraterinë televizive dhe të drejtën e autorit dhe pjesa më e madhe e televizioneve shqiptare, po dëshmojnë një varfëri të theksuar në programet ditore që transmeton. Në pjesën më të madhe të ditës, shumë televizione lajmërojnë me titra, se transmetimet rifillojnë së shpejti.

Ligji i miratuar në Shtator nga Parlamenti, me kërkesën e disa prej operatorëve më të mëdhenj televiziv në vend, duket se nuk është pranuar nga të gjithë operatorët që konkurrojnë aktualisht në tregun mediatik. Një prej tyre është edhe TV Shijak, i cili me gjithë gjobat e marra nga KKRT, për shkelje të këtij ligji, vazhdon të transmetojë në mënyrë pirate programe apo filma të ndryshëm.

Gëzim Ismaili:- “Unë nuk kam asnjë lloj transmetimi që po i transmetoj ato filma. Ato janë disa filma që të tjerët i kanë transmetuar me dhjetëra herë, para se të fillonte zbatimi i ligjit. Po ky është një ligj, si shumë ligje në Shqipëri, që nuk mund të zbatohet në mënyrë bruske, se krijon boshllëqe dhe shqetësime tek publiku dhe këtë nuk e merr njeri përsipër, sepse nuk ka një organizatë që mbron konsumatorin, mbron edhe teleshikuesin”.

Gazetarja: Zoti Ismaili, transmetimi i këtyre filmave të TV Shijak, bëhet vetëm për të mos i krijuar blackout publikut?

Gëzim Ismaili:- “Ekzakt, për këtë duhet të jeni të sigurt, sepse ne kurrë nuk kemi konkurruar me filma. Ne jemi televizion që kemi konkurruar me lajme, të tjerë televizione janë ato që janë futur në treg dhunshëm me këto filma të fundit dhe tani do të vazhdojmë në vitrinë nuk do të përkthejmë më filma, do të vazhdojmë të japim ato filma që i kemi dhënë me dhjetëra herë”.

Gazetarja: Pse televizionet e tjera kanë filluar ta zbatojnë?

Gëzim Ismaili:- “Populli jonë ka një fjalë qengj varet nga këmbët e veta. Televizionet e tjera i kanë ndaluar, kanë bërë shumë mirë, ato i kanë ndaluar sot, unë do t’i ndalojë nesër, pasi të jenë krijuar disa kushte që publiku të mos jetë kaq i terrorizuar”.

Por ka dhe televizione, që megjithëse mundohen të zbatojnë ligjin, janë vënë në vështirësi për të transmetuar programe, të cilat do të mund të thithin dhe audiencën.

Agim Buxheli:- “Është shumë e vështirë, situata është tmerrësisht e keqe, për mua është një situatë shumë e nxituar, nuk di pse u nxitua kaq shumë, sigurisht që brenda ka interesa tregu, të gjitha janë të kuptueshme, situata sidomos për publikun është ai që do ta vuajë. Megjithatë vuajtje do të kenë edhe pronarët e televizioneve, do ta kenë shumë të vështirë për ta kaluar këtë situatë. Meqë këtu ka shumë probleme specifike të disa kanaleve, si dhe kanali juaj, që me plotësisht të drejt ngre pretendimin e blerjeve, ishte një formë që ju e zgjodhët për të hyrë në treg dhe është plotësisht e ndershme, nuk mund të themi që ne do të vjedhim, por edhe unë do të gjejë format më komerciale, që gradualisht të më japë kohën e përgatitjes së programeve”.

Megjithatë, ligji kundër piraterisë dhe respektimit të të drejtës së autorit, duket se ka bërë që televizionet të kenë një angazhim dhe përkushtim më të madh për të kënaqur audiencën e tyre.

Artur Zheji:- “Problemet kryesore që has RTSH është sepse tanimë bëhet e qartë që vetë arkivi dhe pasuria shumë e madhe që ka RTSH, ka qenë prej vitesh pre e miratimit, nga ana e të tretëve. Në këtë moment, në ndihemi të pasur dhe del në mënyrë më të qartë në bazë të një disiplinimi më të madh të ekraneve, se kush na ka vjedhur sistematikisht programet dhe kuptohet që s’ka kontraktuar dhe paguar të drejtat televizive dhe ndërkohë arkivi dhe pasuria që ne kemi menduar në kohë të krijojmë, na jep garancinë që nuk na shkakton probleme, përkundrazi”.

Virgjil Kule:- “Ligji për piraterinë televizive, vërtetë ka shumë pak ditë që ka dalë, por në fakt ky ligj është anoncuar disa muaj më parë dhe në këtë kuadër TV Arbëria është përpjekur që të marrë masat, jo vetëm të përballet me ligjin, por njëkohësisht të përballet me format e mediave televizive në treg. Është fakt që për publikun shqiptar, i mësuar me programe cilësore, e ka të vështirë të ambientohet me atë miriadë ekranesh gjysmë bosh, që ne po i shohim, dmth. është momenti për të përcaktuar qartë strategjinë e çdo televizioni nga drejtuesit e këtyre televizioneve…”/tvklan.al

Gazetare – Elja Zotka