Mbi 93 mijë gjermanë e kanë vizituar Shqipërinë vetëm në 5 muajt e parë të vitit me një rritje me 22% më shumë se një vit më parë me të dhëna që pritet të përditësohen për Qeshorin, Korrikun dhe Gushtin që kanë shënuar kulmin e këtij sezoni.

Interesin e gjermanëve për të vizituar vendin tonë e konfirmojnë edhe të dhënat që japin mediat vendase. E përditshmja “Frankfurter Rundshau” ka sjellë të dhënat e kërkimeve në internet nga qytetarët gjermanë për pushimet e kësaj vere.

Surpriza sipas saj këtij studimi është renditja për herë të parë e Shqipërisë në 5 vendet e para në krah të Turqisë, Kroacisë dhe Greqisë dhe madje duke lënë pas Italinë.

Madje edhe e përditshmja gjermane e hap shkrimin e saj me këtë renditje duke e quajtur Shqipërinë një surprizë.

Në shkrim thuhet se Shqipëria është duke u konfirmuar si destinacion pushimesh. Në krahasim me vitin e kaluar, vendi ynë ka pasur një rritje me 100% të interesit të gjermanëve.

Shkrimi bën edhe një renditje të 10 vendeve që duhen vizituar në Shqipëri. Nga qytetet veçohen, Tirana, Berati, Gjirokastra, Shkodra dhe Korça.

Në bregdet sugjerohet Saranda dhe Dhërmiu pa lënë mënjanë edhe Luginën e Vjosës, Kanionet e Osumit dhe liqenin e Prespës.

Tv Klan