#EDielaShqiptare nga #ArditGjebrea prej vitit 2008 në #TvKlan, programi më popullor në të gjitha familjet shqiptare çdo të dielë. Një program i cili përfshin një fashë orari maratonë, prej 6 orësh transmetim.

#edielashqiptare #arditgjebrea #program #Igli #Maja #gjyshe #burg #droge #shitje #garazh #muzike #enderr #denim

Ishte 15 vjeç kur grabiti një celular për të ndjekur ëndrrën, Igli: Gabimi më i madh i jetës time!

Prindërit e Iglit u ndanë kur ai ishte fare i vogël dhe mbeti nën kujdesin e gjyshërve. Mes emocionesh, ai rrëfen në “Ka Një Mesazh Për Ty” kujtimet e asaj kohe, gjyshen që e merrte me vete ngado dhe kishin një lidhje të fortë. Me rritjen, nisën edhe ëndrrat e para për të ardhmen.

Igli tregon për rubrikën e së “Dielës Shqiptare”  në Tv Klan se ëndrra më e madhe ishte muzika. Nisi të mësonte organo, më pas dëgjonte hip hop dhe dëshironte shumë të regjistronte një këngë. Mundësitë financiare nuk i kishte dhe teksa kërkonte një mënyrë për të siguruar paratë, bëri edhe atë që e quan “gabimin më të madh të jetës”.

Igli: Në moshën 15 vjeç, kam qenë duke ecur në rrugë dhe gjatë rrugës që po bëja kisha  ndërmend ku t’i gjej lekët? Kam parë një vajzë që po fliste në telefon, thashë do ia marr telefonin, do ia shes dhe do regjistroj këngën. Ia mora telefonin nga veshi dhe tentoj të iki me vrap. Më ka gjëmuar policia rreth dy orë derisa më kapën. Më kapën pastaj përfundova te shkolla e riedukimit në Kavajë.

Ardit Gjebrea: Sa vjeç ishe?

Igli: 15 vjeç.

Ardit Gjebrea: Ky ka qenë momenti i parë që ti i theve zemrën gjyshes tënde.

Igli: Ky ka qenë gabimi më i madh i jetës time.

Igli shton se u dënua për 6 muaj, por bëri vetëm 3. Gjatë qëndrimit në shkollën e riedukimit thotë se gjithçka rezultoi ndryshe pasi atje bënte kurs pikture, hidraulik dhe mund të mësonte diçka.

“Nisa të konsumoja dhe të shisja lëndë narkotike në moshën 18-vjeçare”, trondit Igli: Tentova të vrisja veten

Igli, i cili ka ardhur në “Ka Një Mesazh Për Ty” për të ndarë historinë e tij, ka jetuar me gjyshërit që në moshë fare të vogël pas divorcit të prindërve. Me rritjen, ëndrra e tij më e madhe ishte muzika dhe dëshironte më shumë se çdo gjë të regjistronte një këngë. Vetëm 15 vjeç, pa mundësi financiare, Igli vendos që një ditë teksa kalonte në rrugë, t’i grabiste celularin një vajze.

“Gabimi më i madh i jetës time”, u shpreh ai për rubrikën e së “Dielës Shqiptare” në Tv Klan. U dënua me 6 muaj në shkollën e riedukimit dhe doli për 3. Pas daljes, një humbje e fortë për të e detyroi të qëndronte për 3 vjet në një garazh, pa asnjë kusht minimal jetese.

Igli: Kur dola nga burgu, pas disa muajsh më vdiq gjyshi dhe ajo ka qenë një traumë për mua sepse ai më merrte para-mbrapa, më ngushëllonte, më fliste, nuk më linte gjë mangët dhe kur vdiq gjyshi, te shtëpia e dajës fillova të ndihesha i tepërt, mungonte dashuria e tij. Më pas u largova nga shtëpia. Nga mosha 15 vjeç deri në moshën 18 vjeç unë kam ndenjur në një garazh në lagje.

Ardit Gjebrea: Pse?

Igli: Nuk doja të shkoja në shtëpi.

Ardit Gjebrea: Ndiheshe më mirë në një garazh sesa në shtëpi me njerëz?

Igli: Nuk doja të shkoja në shtëpi sepse vendi ku rrinte gjyshi…  nuk më rrihej në shtëpi.

Ardit Gjebrea: 3 vite në një garazh.

Igli: Kam pasur një tavolinë, një divan, kaq. Asgjë tjetër. Pa ujë, pa banjë.

Ardit Gjebrea: Ku laheshe, ku…

Igli: Është gjyshja! Është gjyshja ajo që gjithmonë kur shkoja e thërrisja nga dritarja se nuk doja të hyja në shtëpi, thoshte hajde brenda, unë nuk hyja. Thoshte të paktën merr diçka për të ngrënë. Kur shkoja merrja diçka për të ngrënë, kërkonte që të më lante rrobat, i çoja dhe më jepte bidonë me ujë që unë të lahesha. Ose kur më shihte daja në rrugë, gjithmonë ndalonte makinën dhe më thoshte hip në makinë,  unë hipja në makinë, më çonte deri te shtëpia, rrija sa rrija…

Ardit Gjebrea: Ktheheshe prapë aty.

Igli: Unë ikja. Daja më ka qortuar shumë, për mirë. Unë asnjëherë s’ia kam dëgjuar fjalën.

Igli shton se u përpoq të rikthehej në shkollë, por drejtoresha e refuzoi duke i thënë se ishte “problematik”. Nga ai  moment, rruga e tij nisi të devijonte.

Igli: Gjatë kohës që kam ndenjur te garazhi, vinin çuna që konsumonin lëndë narkotike dhe fillova të konsumoja edhe unë lëndë narkotike. Gjatë gjithë kësaj kohe kam filluar dhe e kam shitur nga mosha 18 vjeç deri në moshën 20 vjeç, për dy vjet rresht.

Ardit Gjebrea: E ke shitur?

Igli: E kam shitur. Arsyeja është ëndrra ime që kisha.

Ardit Gjebrea: Muzika. E bëre muzikën?

Igli: Të gjitha ato lekët që merrja, ashtu siç i merrja, ashtu më iknin, as vetë s’e kuptoja.

Ardit Gjebrea: Ndërkohë, ti ishe në një situatë mbijeetese.

Igli: Po.

Ardit Gjebrea: Jetoje vetëm, jetoje në atë garazh akoma apo jo?

Igli: Po, deri në moshën 20 vjeç.

Ardit Gjebrea: Çfarë ndodhi pas moshës 20 vjeç?

Igli: Gjatë shpërndarjes që i bëja lëndës narkotike, arrestohem nga policia. Arrestohem nga policia dhe përfundoj në drejtori. Përfundoj në drejtori dhe nga frika që kisha për mos t’i dalë më gjyshes përpara, nga zhgënjimi i madh se ajo vinte kur kam qenë te shkolla e riedukimit në Kavajë, më takonte dhe më thoshte mos bëj më gabim, unë gabova prapë, nuk i dilja dot përpara. Për këtë gjë tentova të vras veten që mos të më shihte më pas hekurave.

Ardit Gjebrea: Në çfarë viti ka ndodhur kjo?

Igli: 16 gusht 2019.

Ardit Gjebrea: Me sa vite u dënove?

Igli: Jam dënuar 8  vjet.

“Gjyshja s’merrte ilaçet që të më dërgonte pakot me ushqime”, përlotet ish i dënuari

Igli ishte 15 vjeç kur shkeli ligjin për herë të parë vetëm që të ndiqte ëndrrën e muzikës. Përfundoi në shkollën e riedukimit për disa muaj, pas daljes humbi gjyshin dhe nisi të jetonte në një garazh. Më pas, në moshën 18-vjeçare filloi të konsumonte e shiste lëndë narkotike me shpresën se do i mblidhte paratë por nuk ia doli. Ra në prangat e policisë dhe u dënua me 8 vite burg.

Igli ka vetëm pak ditë që ka dalë dhe arsyeja që e ka sjellë në “Ka Një Mesazh Për Ty” nga “E Diela Shqiptare” në Tv Klan është gjyshja. Ai dëshiron që takimi i tyre i parë të jetë tregues i ndryshimit të tij.

Igli: Gjatë kohës që kam qëndruar në burg, ajo ëshë munduar të më sjellë ushqime që unë mos të ndihem  ndryshe nga të tjerët dhe e ndieja dhimbjen e saj. Ajo ka lënë ilaçet e veta pa marrë dhe më ka sjellë mua ushqime atje. Unë thosha kur ajo po bën këtë sakrificë për mua, unë s’mund të bëj gjënë më të vogël për atë? Edhe fillova të punoja si berber aty, e kërkoja herë pas here punën si berber te burgu dhe vazhdova të vetëpunësohem. Te sektori kur po vuaja dënimin, qethja bashkëvuajtësit e mi, iu merrja ndonjë kartë telefonike, iu merrja ndonjë paketë, i mblidhja kartat e telefonit dhe i ktheja në ushqime dhe kështu kam mbijetuar që edhe gjyshen mos ta rëndoja se edhe asaj i shpëtonte goja, më thoshte mua kam marrë ilaçet borxh. Aty unë e kuptoja që ajo nuk merrte ilaçet e veta që të më sillte mua ushqime. Shkonte te posta, ajo është me patericë, javë për javë ose dy herë në javë ka pasur raste e ka shkuar, ka paketuar ushqimet në kuti dhe m’i ka sjellë.

Igli vuajti dënimin për 2 vite e gjysmë në Tiranë dhe më pas e transferuan në burgun e Reçit. Atje gjyshja e kishte të pamundur ta vizitonte shpesh dhe ka shkuar vetëm dy herë. Hera e fundit kur janë takuar ka qenë 2 vite më parë. Me lot në sy, ai tregon brengën që i rëndonte.

Ardit Gjebrea: Kur të vinin pakot e gjyshes…

Igli: Nuk më hahej bukë.

Ardit Gjebrea: Pse?

Igli: Ndonjëherë ushqimi që ha nuk ta shuan mallin për gjyshen, për familjen, mallin për prindin. Nuk më hahej buka. Thosha ndonjëherë më mirë vetëm ta takoj sesa të marr ushqime.

Rrëfimi shokues: Prindërit dërgonin fëmijën për të blerë lëndë narkotike/Ish i burgosuri bën llogaritë

Igli është një ish i dënuar që ndan me “Ka Një Mesazh Për Ty” nga “E Diela Shqiptare” në Tv Klan një rrëfim aspak të lehtë. Prej moshës 15-vjeçare, pasi vendosi mos të jetonte më me gjyshen e dajën, ai u vendos në një garazh. Miqësitë jo të duhura dhe mendimi se mund të siguronte ca para për të hapur studion e tij muzikore, e bënë të niste shitjen e lëndëve narkotike në moshën 18-vjeçare.

Më pas, kur ishte 20 vjeç, u arrestua dhe vuajti dënimin për 8 vjet. Në rrëfimin e tij, Igli tregon detaje nga aktiviteti që ai bënte. Ai thotë se kishte prindër që dërgonin fëmijët për të blerë lëndën narkotike duke shokuar Gjebrean dhe publikun.

Ardit Gjebrea: Kujt ia shisje drogën?

Igli: Çdo lloj personi që vinte e merrte.

Ardit Gjebrea: Edhe fëmijëve? Adoleshentëve nën moshë?

Igli: Ka pasur nga ata që i dërgonin prindërit e vet fëmijën për të ardhur e për të blerë. Ndoshta juve mund t’ju duket e pabesueshme, por s’jam këtu për të thënë gjëra që nuk janë të vërteta.

Ardit Gjebrea: Prindi dërgonte fëmijën që të blinte lëndë narkotike?

Igli: Po. Kjo ndodh akoma.      

Ardit Gjebrea: Më duket absurde!

Igli: Është absurde! Ka qenë absurde edhe për mua që e kam bërë dhe prandaj jam sot këtu.

Ardit Gjebrea: Dhe sa në ditë ishin të tillë?

Igli: Kishte, pa frikë te 100 fëmijë, 200 fëmijë. Jo në ditë, gjatë javës.

Ardit Gjebrea: Edhe në javë, 100 fëmijë?! Çfarë po thua?!

Igli: Po them nga mosha 15-18 vjeç.

Ardit Gjebrea: Jo more!

Igli: Unë gjatë asaj moshe kam qenë edhe i vogël, kupton? Ishin moshatarët e mi.

Ardit Gjebrea: Po në ditë sa blerës kishe? Jo vetëm fëmijë, por edhe të rritur.

Igli: Kam arritur të shes 1 kile e 200 gram për një ditë.

Ardit Gjebrea: Sa njerëz? Se nuk di ta bëj llogarinë, realisht.

Igli: Mund të vijnë diku te 800 veta në ditë.

Ardit Gjebrea: Jo more!

Igli: 800 veta në ditë. Do ta bëj llogarinë këtu?

Ardit Gjebrea: Bëje.

Igli: 800 qese nga 5 mijë lekë, sa i bie?

Ardit Gjebrea: 4 milionë lekë të vjetra?

Igli: Ashtu de! 1 kile i thonë 800 qese ose 400. 400 bëhen kur shitet me 10.

Ardit Gjebrea: Ku i çoje gjithë këto para njëherë?

Igli: Unë kam punuar për dikë tjetër, s’kam punuar për vete. Për arsye se unë flija në garazh, dikush erdhi më ofroi shtëpinë, më ofroi mundësinë për të punuar dhe për të mbledhur lekë. M’u duk mundësi e mirë. Thosha do mbledh lekët, do filloj të bëj studion por s’ia arrita kurrë.

Ardit Gjebrea: Po sa jepje dhe sa mbaje për vete?

Igli: Unë arrija të fitoja për vete diku te 150-200 mijë lekë në ditë. Pjesa tjetër i takonte personave në fjalë.

‘Shija’ e lirisë, Igli tregon ndjesinë pas daljes nga qelia: S’kam fjetur 3 ditë!

Igli ka vetëm disa ditë që ka lënë qelinë e burgut ku vuajti një dënim disa vjeçar dhe ndalesa e tij e parë është “Ka Një Mesazh Për Ty”. Pas një rrëfimi shumë të vështirë për jetën e tij përpara dënimit, arsyet që e çuan të zgjidhte rrugën e gabuar, është edhe përjetimi i lirisë. Igli tregon për rubrikën e së “Dielës Shqiptare” në Tv Klan si e ka ndier shijen e saj.

Ardit Gjebrea: Në momentin që u lirove, momenti i parë kur dole, si ishte?

Igli: Nuk më besohej. Kur dola, atë besohet nuk kam fjetur 3 netë e 3 ditë fare, shumë rrahje të forta.  Nuk më besohej që kam dalë. Shtrihesha për të fjetur, nuk flija. Përfitova 1 vit e 4 muaj ulje dënimi.  Për shkak të sjelljes së mirë, punës që bëja, ambientit, dhomës ku qëndroja që e mbaja pastër, komunikimi me stafin e edukimit, me aktivitetet që bëheshin, merrja gjithmonë pjesë.  Kam përfituar ulje dënimi. Nëse unë nuk do të sillesha mirë, nuk do të përfitoja ulje dënimi, nuk do të isha sot këtu.

Sheh për herë të parë pas dy vitesh imazhin e gjyshes, Igli qan me ngashërimë

Është momenti që Maja, gjyshja e Iglit të marrë ftesën për në rubrikën “Ka Një Mesazh Për Ty” nga “E Diela Shqiptare” në Tv Klan. Teksa në ekranin përballë Iglit shfaqet imazhi i saj, ai shpërthen në një të qarë me ngashërimë. I penduar, Igli fajëson veten që s‘ka mundur t’ia shpërblejë sakrificat e saj për të.

Igli: S’e ke idenë sesa më ka marrë malli! Për shkak se s’kishte mundësi të vinte të më takonte, flisja në telefon. Kisha dëshirë ta merrja përditë, por s’ishte mundësia. E merrja një herë në 3 ditë. S’e ke idenë se çfarë lloj malli kam, nuk e përshkruaj dot me fjalë. Jam penduar shumë. Dikush nuk e ka gjyshen, dikush nuk e ka mamin, nuk  e ka as babin. Unë e kisha gjyshen dhe s’dita t’ia shpërblej ashtu siç duhet. Të paktën, ta bëja krenare.

Ende i përlotur, ai kujton një takim me gjyshen gjatë kohës që vuante dënimin në qeli.

Igli: Kur erdhi më takoi atje, në burgun 313,  kisha turp t’i dilja përpara. Kisha turp se e kam zhgënjyer, i kam sjellë shumë vuajtje. Kam qenë mistrec, problematik. I dhashë dorën, ma tërhoqi dorën dhe ma puthi. Vetëm dridhesha, i kërkoja falje dhe më tha diçka: sa të jem gjallë, unë s’do të të lë kurrë pas dore dhe e ka mbajtur fjalën.

Emocione tronditëse! Sheh nipin pas daljes nga qelia, gjyshja thuajse humb ndjenjat

Maja,  gjyshja e Iglit, ka pranuar ftesën e “Ka Një  Mesazh Për Ty”. Ajo nuk e di se pas ekranit në studion e së “Dielës Shqiptare” në Tv Klan ndodhet Igli, nipi që e ka rritur vetë e që nuk e takon prej 2 vitesh. Hera e fundit ka qenë kur Igli ishte ende duke vuajtur dënimin në qeli, por ai është liruar disa ditë më parë dhe dëshironte që takimi i radhës të ishte në studion e surprizave dhe emocioneve.

Kur shfaqet imazhi i Iglit, Maja heq e vendos disa herë syzet pa mundur ta njohë dot. Kur mëson se është Igli, ajo nis të lotojë.

Maja: O të keqen nëna! Igli i nënës! Zemra e nënës! Të ka rritur nëna me këto duart e mia! Mezi po të prisja o zemra e nënës kur po vije…! Më raftë pika, si s’e njoha çunin tim!

Emocionet e forta trondisin Majën që thuajse humb ndjenjat. Pranë i gjendet Ardit Gjebrea dhe asistentët për ta qetësuar teksa ajo flet me dhimbje e mall.

Maja: Të keqen nëna Igli! A do ta gjeje nënën gjallë o bir! Më shkoi mendja!

Ardit Gjebrea: Të shkoi mendja?

Maja: I thashë djalit, o Niku, mos më ka bërë Igli surprizë? Jo, nëna jo, tha, Igli është brenda. Të keqen unë ty!

Ardit Gjebrea: Tani qetësohu! Të kishte marrë malli për Iglin?

Maja: Shumë! Kisha 2 vjet…

Ardit Gjebrea: E di se na tregoi.

Maja: E ka rritur nëna!

Unë kam 3 fëmijë, me Iglin 4. Këtë e mbaja kalaqafë”, shton gjyshja e ngashëryer.

E shkuara mbetet pas! Përqafimi i përmallshëm me gjyshen pas daljes nga burgu, Igli kërkon falje

Vendimet e gabuara Igli ka vendosur t’i lërë pas, në qelinë e burgut ku vuajti dënimin për veprën e tij. Kohën brenda saj ai e ka shfrytëzuar për të reflektuar e për t’u bërë më i mirë jo vetëm për veten,  por për njeriun më të dashur të jetës. Kjo është arsyeja pse ai ka ftuar gjyshen, Majën, në “Ka Një Mesazh Për  Ty” vetëm disa ditë pas daljes nga qelia. Ky është takimi i tyre i parë pas 2 vitesh dhe ndodh në rubrikën e së “Dielës Shqiptare” në Tv Klan.

Maja u trondit së tepërmi kur pa nipin e saj dhe asnjëri prej tyre nuk mund t’i përmbante emocionet e forta dhe lotët. Takimi s’është e vetmja arsye për këtë takim pasi Igli i shpreh pendesë dhe i kërkon falje të shtrenjtës së tij.

Igli: O nëna, unë të kam sjellë sot këtu për të të kërkuar falje.

Maja: Të keqen nëna, nëna t’i ka falur të gjitha gabimet.

Igli: Për të treguar se ti je arsyeja se unë kam reflektuar atje brenda dhe kam ndryshuar. Të jap fjalën që do të të bëj krenare dhe që nga sot e mbrapa, ty do të të qeshë buza gjithmonë. Nuk do të të lë më të vuash.

Maja: Të keqen nëna ty! Nënës s’i është tharë njëherë loti!

Igli: Dije se këto nuk janë fjalë boshe dhe të jap fjalën se ti je arsyeja pse unë po jetoj.

Maja: Të keqen unë ty, zemra ime!

Igli: Të kërkoj falje.

Maja: T’i ka falur nëna të gjitha.

Igli: Për çdo gabim që kam bërë, për çdo shqetësim, për çdo plagë që të kam hapur në zemër. Të lutem, të lutem më fal.

Pas 2 vitesh, ndodh më në fund edhe përqafimi i  shumëpritur dhe i përmallshëm mes gjyshes e nipit.