#EDielaShqiptare nga #ArditGjebrea prej vitit 2008 në #TvKlan, programi më popullor në të gjitha familjet shqiptare çdo të dielë. Një program i cili përfshin një fashë orari maratonë, prej 6 orësh transmetim. #edielashqiptare #arditgjebrea #program #aurel #elena #gjermani #vuajtje #azil #sakrifica #djale #shtatzane

Fëmija që u bë nënë 2 herë, djali tregon historinë e jashtëzakonshme: Mami na solli në jetë kur ishte 15 vjeçe

Aureli është vetëm 20 vjeç, por ka parë e përjetuar gjëra përtej moshës së re. Ai vjen nga Gjermania në “Ka Një Mesazh Për Ty” për të rrëfyer historinë e gruas që i dha jetë. Nëna e Aurelit ka kaluar shumë sfida që prej fëmijërisë, të cilat ai nis t’i tregojë një e nga një për rubrikën e së “Dielës Shqiptare” në Tv Klan.

Në moshën 6-vjeçare, ajo humbi nënën e saj dhe babai u rimartua. Nëna dhe tezja e Aurelit jetonin me ta, por marrëdhëniet nuk ishin aspak të mira. Në një moment, nëna e tij vendosi ta merrte vetë jetën në dorë.

Aurel: Kur mbushi 12 vjeçe, kur shkonte në dyqan apo që dilte jashtë, babai im e shikonte dhe rrinte duke e ngacmuar.

Ardit Gjebrea: Që 12 vjeç?

Aurel: Që 12 vjeçe, po. Babai im mund të ketë qenë 16-17, nuk e di tamam dhe e ngacmonte. Mamaja shikonte njerëz të tjerë aty në lagje që po martoheshin, merrnin dhurata, i dukej sikur ishte një gjë e bukur. Komshiu që rrinte afër mamit i jepte letrat që i shkruante babi dhe ajo i tha që ‘nëse më do, eja më merr nesër në mëngjes’. Ngaqë nuk shkonte shumë mirë me njerkën, donte vetëm të largohej.

Bashkëjetesa e nënës së Aurelit kur ishte vetëm 12 vjeçe u mor vesh shumë shpejt. Jo vetëm kaq, por në moshën 13-vjeçare mbeti shtatzënë e një vit më vonë, u bë nëna e një vajze. Në moshën 15-vjeçare, erdhi në jetë edhe Aureli.

Ndonëse ajo kishte shpresuar se me ikjen nga shtëpia do të gjente qetësi, nuk ndodhi kështu. Aureli thotë se nuk do ta falë kurrë babanë e tij për gjithçka u ka bërë, edhe pse sot kanë një marrëdhënie të mirë.

Aurel: Qëkur e ka marrë, jeta e saj u kthye edhe më në ferr, u bë edhe më keq. Familjarët ishin të mirë, me ta shkonte mirë, por me babin nuk shkonte shumë mirë. Ai e keqtrajtonte shumë. Unë sot flas akoma me babin, e dua shumë, e respektoj, e kam baba, por gjërat që i ka bërë nënës time dhe familjes nuk mund t’ia fal asnjëherë.

Ardit Gjebrea: Çfarë i bënte mamit?

Aurel: Shumë gjëra. Unë kam qenë i vogël atëherë dhe nuk i mbaj mend shumë, por një gjë që mbaj mend ishte që mami po hante bukë dhe ai e rrahu në syrin tim.

Ardit Gjebrea: Sa vjeç ishe?

Aurel: Mund të kem qenë 5-6  vjeç.

Ardit Gjebrea: Tani që je rritur, çfarë tregon mami për ato momente se ti ishe i vogël?

Aurel: Ajo nuk ka dëshirë të më tregojë asgjë.

Ardit Gjebrea: Ah, nuk do të të tregojë.

Aurel: Nuk do sepse nuk do që ta urrej babin tim.

Ardit Gjebrea: Sa kohë zgjati kjo bashkëjetesë?

Aurel: 12 vite, vetëm se ishim unë e motra në mes.

Ardit Gjebrea: Kishte ndonjë motiv që babi nuk sillej mirë me mamin?

Aurel: Motivi i tij ishte vetëm se pinte shumë, luante bixhoz, largohej nga shtëpia me muaj.

Ardit Gjebrea: Kush kujdesej për ju?

Aurel: Mami.

Ardit Gjebrea: Në cilin moment mami vendosi të divorcohej nga babi?

Aurel: Kur na erdhi mundësia për të ikur në Itali.

Nëna e Aurelit shkoi në Itali dhe përpiqej të punonte, ndërsa fëmijët qëndronin te motra e saj. Kjo situatë vazhdoi për 8 muaj dhe ndonëse fëmijët ndiheshin mirë, nëna përjetonte të kundërtën për shkak se motra kishte familjen e saj.

Më pas, vendosën të shkonin në Gjermani ku kërkuan azil. Për 4 muaj, u rraskapitën nëpër kampe me kushte të vështira dhe ajo i pyeste vazhdimisht nëse donin të ktheheshin pranë të atit, por Aureli shprehet se refuzonin vetëm që nëna mos të kalonte sërish në të njëjtin kalvar që e dinin se e priste.

Njeriu që u ndryshoi jetën/ Aureli drithëron me fjalët për njerkun: M’u gjend kur kisha nevojë për baba

Pas largimit nga Italia drejt Gjermanisë për të kërkuar azil, Aureli, nëna dhe motra e tij u gjendën për 4 muaj nga njëri kamp në tjetrin. Aureli tregon në “Ka Një Mesazh Për Ty” se ishte një torturë e vërtetë derisa vendosën që t’ilinin në një shtëpi ku gjithçka ishte e përbashkët dhe aty banonin shumë burra.

Gjatë kohës së qëndrimit në kamp, kishin njohur një familje kosovare që u kishte ofruar kontaktin e dikujt për t’i ndihmuar. Ata telefonuan këtë njeri misterioz që erdhi i veshur me një pallto të zezë e dukej i frikshëm, por që do u ndryshonte jetën. 20-vjeçari kujton në rubrikën e së “Dielës Shqiptare” në Tv Klan, ardhjen e tij në atë shtëpi në të cilën nuk i la as edhe një sekondë më tepër. Nga ai moment, nuk janë ndarë më kurrë.

Aurel: Ai merret me shtetin, i merr në telefon, u thotë çdo lloj gjëje, si mund t’i lini aty ju, një familje, një grua vetëm me dy fëmijë kur janë gjithë ata çuna aty? Ky u thotë pastaj që unë do t’i marr përsipër, do t’i ndihmoj, do merrem me ta dhe këtë premtim e ka mbajtur. Ai merr një shokun e vet në telefon, i thotë atij se kishte një shtëpi të lirë. Ikëm te ajo shtëpi, u sistemuam në shkollë, mami shkoi në kurs për të mësuar gjuhën, pas një kohe vazhdoi edhe punën, por dita kur shkuam ne në shkollë ishte dita më e lumtur për të. Çdo hap që bënim na thoshte prisni t’ju bëj mami një foto se do  të shkoni te shkolla, dita e parë e shkollës për ju, ishte një gëzim i paparë por edhe për ne gjithashtu se do të shkonim në shkollë,  do të njihnim shokë, shoqe, do të mësonim diçka, do ambientoheshim me vendin dhe siç të thashë, njeriu që na ka ndihmuar kaq shumë, ai sot është njerku im. Po ta kisha ditur se ai sot do të ishte këtu, unë do ia kisha çuar edhe atij mesazhin por që nuk  e dija që do të jetë këtu. Jam shumë krenar që e kam në jetën time.

Ardit Gjebrea: Çfarë përfaqëson ai për ty sot?

Aurel: Unë babain tim e kam gjallë, e dua shumë, dashurinë që kam unë për babin tim nuk mund ta zëvendësojë kush, por dashurinë që kam për të, nuk mund ta zëvendësojë as babi, asnjeri tjetër.  Më është gjendur në një kohë që kam pasur shumë nevojë për një baba. Të ishte dikush, të më jepte dashuri, të më merrte e të më pyeste se si je, si ndihesh.

Njerku i Aurelit është duke ndjekur gjithçka që po ndodh në studio, i përlotur nga fjalët e thjeshtrit të tij.

Një mesazh për Ardit Gjebrean, mesazheri njofton largimin nga “E Diela Shqiptare”

Përpara se Endriti, një prej mesazherëve të “Ka Një Mesazh Për Ty” të zbulonte nëse e ftuara ka ardhur, ai pati një njoftim të rëndësishëm. Duke iu drejtuar moderatorit të së “Dielës Shqiptare” në Tv Klan, Endriti zbuloi se ky është mesazhi i tij i fundit. Ai do të kthehet në Itali për të vijuar karrierën si aktor pasi ka marrë një ofertë për një produksion të madh filmik. Me shumë mirënjohje, Endriti falenderoi Gjebrean për mundësinë që të ishte pjesë e programit i cili i ka shërbyer për t’u rritur jo vetëm profesionalisht, por edhe si njeri

Endrit: Ardit përpara se të them lajmin a ka ardhur zonja apo jo, unë sot kam një mesazh për ty.

Ardit Gjebrea: Urdhëro!

Endrit: Kjo është hera e fundit e imja këtu sepse siç ti e di, unë kisha shumë kohë që po prisja një ofertë për një produksion shumë të madh filmik në Itali dhe më në fund ajo erdhi.

Ardit Gjebrea: Po vij pranë teje që ta dëgjojmë, mos të rrimë kaq larg meqenëse është hera e fundit si mesazher tek “E Diela Shqiptare”.

Endrit: Dhe unë atë e pranova, por gjithsesi dua të të falenderoj shumë Ardit për këtë ofertë, për këtë mundësi që mua më është dhënë këtu në këtë sezon sepse jam rritur shumë edhe nga ana profesionale, por sidomos nga ana njerëzore.

Ardit Gjebrea: Faleminderit! Unë mendoj që një nga bonuset e këtij programi është që ti e ke njohur më shumë Shqipërinë nga ç’e dije,  e ke zbuluar.

Endrit: Patjetër, jo vetëm udhëtimet, por edhe historitë, njerëzit që kemi takuar, na kanë lënë gjithmonë diçka prandaj them që jam rritur edhe si njeri.

U bë nënë e dy fëmijëve në moshën 15-vjeçare, Elena: S’e kam menduar kurrë jetimoren!

Elena ishte vetëm 12 vjeçe kur u largua nga shtëpia pas jetesës së padurueshme me njerkun dhe nisi bashkëjetesën. Në moshën 14-vjeçare ajo solli në jetë një vajzë dhe një vit më vonë një djalë, Aurelin. Ky i fundit e ndau historinë e nënës  së tij në “Ka Një Mesazh Për Ty” nga “E Diela Shqiptare” në Tv Klan duke i befasuar të gjithë.

Më pas ai tregoi sesi mes shumë sakrificash shkuan në Itali, më pas në Gjermani ku takimi me njerkun do t’u ndryshonte jetët. Por për gjithçka, Aureli falenderoi nënën që nuk u dorëzua kurrë. Sot Elena është 35 vjeçe dhe Aureli 20 dhe kanë një marrëdhënie shumë të ngushtë.

Megjithatë, ajo që impresionon më shumë në këtë histori është këmbëngulja e Elenës për mos t’i lënë fëmijët edhe pse ishte e re. Moderatori Ardit Gjebrea e pyet nëse ajo ka menduar ndonjëherë për t’i dërguar në jetimore, por Elena shprehet se ky mendim s’ka ekzistuar kurrë.

Elena: Nuk e kam menduar, as nuk më ka shkuar në mendje. Kam thënë unë do të jem këtu për fëmijët e mi deri në frymën e fundit.

Ardit Gjebrea: Ke qenë vetëm 14 vjeç. U bëre nënë edhe 15 vjeç dhe ti nuk kishe asnjë njeri, ike nga shtëpia, historia jote me familjen që na tregoi Aureli, me njerkën, pra ti nuk kishe një njeri pranë që të të mësonte dhe kur them 15 vjeç ti ishe nënë me dy fëmijë, fare lehtë mund ta kishe marrë këtë vendim sepse ishe një fëmijë, 15 vjeç është fëmijë.

Elena: Kjo është një ndihmë që t’i çojmë fëmijët dikush që nuk ka mundësi atje, por më beso as nuk e kam menduar kurrë, asnjëherë. Unë kam shkuar në Itali para se të marr vendimin e divorcit dhe kam ndenjur 3 muaj pa fëmijët. E di Zoti dhe shpirti im sesi unë kam ndenjur 3 muaj pa ata dhe ta mendosh jetën pa fëmijët, për mua është një gjë shumë e madhe, kurrë s’e kam menduar. Atje shkova për një të ardhme, për një jetë më të mirë që të isha një shtysë për fëmijët, një mbështetje për ekonominë, nuk ia dola dot, falenderoj edhe motrën time në Itali që ajo ma ka dhënë mbështetjen që unë jam sot këtu ku jam, ajo ka qenë mbështetja ime e vetme që unë jam sot këtu. Edhe sikur mos ta kisha një mbështetje, fëmijët nuk do t’i kisha lënë për asnjë lloj arsyeje, por ajo ishte një shtyllë që më shtyu për jashtë shtetit.

/tvklan