#edielashqiptare#arditgjebrea#program#amanet#baba#Kosove#lufte#ushtri#qemal#jakup#dorez#librazhd#mirenjohje

Predhat u binin mbi kokë, kujtimet e 13 korrikut të ish-ushtarit të UÇK-së: Shokut i kishte ikur shputa e këmbës

Një tjetër rrëfim nga lufta në Kosovë vjen këtë të diel në “Ka Një Mesazh Për Ty”. Enveri ka ardhur në studion e së “Dielës Shqiptare” në Tv Klan  për të çuar në vend një amanet. Ky amanet ka pas një histori të gjatë që nis në vitin 1998. Enveri ishte vetëm 23 vjeç kur u bë pjesë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe mori armën në dorë për të mbrojtur atdheun, një ndjesi që e kujton fort mirë.


Enver: Neve na ka munguar shumë liria. Në momentin që mora armën në dorë, mua m’u duk që liria është shumë afër.

Ardit Gjebrea: Po pastaj?

Enver: Më 13 korrik përjetuam bombardimin e parë apo fillimin e një lufte të vërtetë në të cilën ne ishim të përgatitur për ato beteja.

Ardit Gjebrea: Por ndoshta jo deri në fund.

Enver: Jo deri në fund sepse ne luftën vetëm e kemi imagjinuar, por nuk e kemi përjetuar, ndërsa nga 13 korriku e kemi përjetuar.

Ardit Gjebrea: Çfaë ndodhi më 13 korrik?

Enver: Më 13 korrik, forcat serbe kanë vërejtur pozicionet tona. Ne ishim 73 vetë duke bërë ushtrimet si çdo mëngjes dhe forcat serbe gjatë vrojtimit sepse ata kishin teknologjinë e avancuar, eksperiencën e jashtëzakonshme dhe arritën që neve të na granatojnë me murtaja. Në momentin e parë na u duk se nga  koha është duke ardhur ndonjë vetëtimë, bubullimë dhe na u duk si diçka jo e zakontë por që vjen nga natyra. Në momentin që kishim këtë habi, filloi bombardimi dhe pas një periudhe që kemi kaluar, ka patur njerëzit që kanë numëruar që deri në 28 predha kanë rënë në të njëjtën kohë. Në atë moment humbën jetën 2 pjesëtarë të UÇK-së dhe 13 të tjerë u plagosën.

Atë moment Enveri ndieu se do të zhdukeshin e asgjësoheshin, e megjithatë ata ushtarë të rinj ia dolën të përballonin gjithçka mirë. Gjithsesi, nuk munguan humbjet e shokëve që kishte pranë.

Enver: Njëri nga ata e shihja, ishte nja 3 vjet më i ri se unë, e shihja duke bërtitur e duke kërkuar ndihmë.  E ka patur emrin Misin Sopa, bashkëvendas imi. E ka patur shputën e këmbës të hequr nga granatimet. Unë e kam marrë në shpinë dhe e kam dërguar në një vend ku e kemi  patur si spital ushtarak, me ato kushte të improvizuara.

Ardit Gjebrea: Ishte afër?

Enver: 3 kilometra.

Ardit Gjebrea: 3 kilometra e ke mbajtur në shpinë. Po pse thua “e ka patur”, nuk jeton më?

Enver: Jo, fatkeqësisht ka ndërruar jetë në vitin 2020.

Enveri shprehet se nga bombardimet pati 2 të vdekur dhe 13 të plagosur.

Familja u mirëprit në Librazhd, ushtari i UÇK-së kujton takimin me ta: Nuk e besonin që isha gjallë

Më 13 qershor, Ushtria Çlirimtare e Kosovës çliroi Suharekën. Mendimet e para të Enverit, ish-ushtarit që ndodhet në “Ka Një Mesazh Për Ty” nga “E Diela Shqiptare” në Tv Klan ishte të gjente familjen. Ai dinte vetëm se familja  kishte mbërritur në Librazhd e asgjë më tepër.

Enveri tregon se mendonte që  familja gjendej në ndonjë kamp dhe në kushte të vështira. Në të vërtetë, familja e tij ishte mirëpritur e strehuar në një shtëpi në fshatin Dorëz.


Enver: Në Librazhd i kanë dërguar në një kamp. Vjen zoti Fatmir, ka dëgjuar që kanë ardhur në Librazhd dhe thotë unë kam mundësi të marr 3-4 anëtarë se edhe ata i kishin kushtet ekonomike të vështira.

Ardit Gjebrea: Normale, secili sipas mundësive.

Enver: Fatmirësisht për familjen time që ishin këta 5 anëtarë, i merr dhe i dërgon te familja atje. Aq shumë  ka folur babai për atë familje, jo vetëm për atë familje, por për atë lagje, për atë fshat saqë babai im ka qenë pothuajse si kryeplak i fshatit Dorëz. Çdo të mirë e çdo të keqe prej ditës që kanë shkuar deri në datën 16 qershor asnjëherë nuk ka ngrënë bukë vetëm, me familjen që ka qenë mysafir. Jo vetëm babai, por edhe pjesëtarët e tjerë të familjes kanë kaluar një kohë të jashtëzakonshme.

Kur mbërriti në Librazhd, Enveri mësoi se familja e tij njihej nga të gjithë dhe prej dy muajsh jetonte në shtëpinë e Jakupit ku ndodhi edhe takimi i shumëpritur.

Enver: Kur ngjitem përpjetë, kur shoh nënën, kunatën dhe motrën në oborr në një tavolinë duke ndenjur. Nuk ka shprehje që të mund të shpreh si e kam ndier veten. Çlirimi i vendit ishte diçka e jashtëzakonshme, por kur pashë familjen m’u duk diçka e paimagjinueshme.

Ardit Gjebrea: Po kur të panë ata ty?

Enver: As ata nuk besonin që jam gjallë.

Ardit Gjebrea: Nuk e besuan?

Enver: Nuk e besonin. Sado që më përqafonte nëna, më shihte se mos jam i dëmtuar ose i plagosur nga lufta. Babai im me gjithë vëllain e ndjerë ishin në Librazhd, kishin shkuar në qytet për të marrë diçka. Erdhën ata, u çmallëm shumë.

Enveri shton se u kthyen në Kosovë që atë ditë, me gjithë këmbënguljen e familjeve për të qëndruar. Arsyeja ishte ajo çfarë kishin lënë pas në Kosovë, një vend i shkatërruar që priste të rindërtohej e të lulëzonte sërish.

“Vëllain e të afërmit i vrau një minë, babai u sëmur me kancer”, tragjeditë që goditën familjen nga Kosova

Me përfundimin e luftës, familja e Enverit u kthye në Kosovë për të rindërtuar fshatin. Në Shqipëri kishin lënë një pjesë të zemrës te një familje në Librazhd që i mirëpriti e iu gjend pranë me gjithçka mundi.

Enveri, ushtari i UÇK-së që ka ardhur sot në “Ka Një Mesazh Për Ty” nga “E Diela Shqiptare” në Tv Klan, thotë se nevoja më urgjente ishte të rindërtonin fshatin. Përgjatë këtyre viteve e deri më sot,  pavarësisht mirënjohjes së madhe për familjen Shkurti, nuk kanë mundur dot të takohen.


Enver: Më 21 tetor 1999 neve na ndodhi një tragjedi. Vëllai jonë i vogël që kishte qenë refugjat në familjen Shkurti, bie në mina së bashku me një kushëri tonin dhe një bashkëqytetar. Vëllai im ka qenë 14 vjeç, kushëriri ka qenë 12 vjeç ndërsa ai bashkëvendasi tjetër ka qenë 16. Duke luajtur, ajo ka shpërthyer. Nga ai moment, ndryshoi edhe jeta jonë sepse çdo ditë, qëkur jemi kthyer në shtëpi e deri më 21 tetor, babai im s’ka patur natë e mbrëmje që nuk ka bërë bisedë për familjen Shkurti.  Edhe kur bënte nëna e kunata darkën, thoshte këtë ushqim e kemi ngrënë në Librazhd, e lidhte gjithmonë sepse kishin kaluar jashtëzakonisht mirë. Nga ajo datë, ndryshoi rrjedha e historisë së familjes tonë sepse ne  menduam që më 13 qershor u çliruam dhe do të jetë gjithçka e bardhë.  Përkundrazi vazhduan shumë tragjedi. Pasi vdiq vëllai, babai diagnostikohet me sëmundjen e kancerit. Pas shumë trajtimeve, në 2005 edhe ai ndërroi jetë. dilte një pengesë që ne mos të arrijmë të shkojmë për vizitë, ta falenderojmë sepse kur kishim nevojë ne më së shumti, ata iu gjendën pranë.

Ardit Gjebrea: Më pas edhe vetë familjes Shkurti iu mësuat që kishte ndodhur një tragjedi.

Enver: Edhe familjes Shkurti u ndodhi një tragjedi në 2018. Djali i Jakup Shkurtit dhe nusja e tij ndodhi një aksident në Greqi dhe humbin jetën. Prapë, edhe në atë kohë, ne nuk mundëm të shkonim për ngushëllime, nëna jonë ishte me sëmundje nga zemra në spital.

Pas 25 vitesh, ushtari i UÇK-së vë në vend amanetin e babait

Kujtimet e luftës në Kosovë janë tepër të hidhura, por prej asaj periudhe shumë familje në vendin tonë kanë krijuar lidhje të forta edhe me shqiptarët që jetojnë atje. Enveri, i cili ka qenë ushtar i UÇK-së, tregoi në “Ka Një Mesazh Për Ty” sesi familjes së tij iu gjend pranë familja Shkurti në Librazhd.  Ai ndodhej në luftë, por familjarët nuk kanë reshtur së treguari e shprehur mirënjohje për shtëpinë në Dorëz që u hapi dyert e zemrën.

Edhe pse miqësia është ruajtur, dy familjet s’kanë mundur të takohen prej vitesh prej rrethanave të ndryshme. Babai i ka lënë Enverit një amanet që ai ka ardhur ta vërë në vend në rubrikën e së “Dielës Shqiptare” në Tv Klan ku ka ftuar Jakupin dhe Qemalin nga familja Shkurti.


Enver: Këta kanë të drejtë edhe mos të më njohin, por unë s’kam të drejtë mos t’i njoh këta. Daja Jakup dhe daja Qemal, ju falenderoj përzemërsisht që keni pranuar ftesën të vini në këtë emision. Ju jemi shumë mirënjohës dhe shumë borxhli për atë që keni bërë për familjen time në kohën më të vvështirë dhe më të nevojshme kur familja ime kishte nevojë.

Qemal: Asgjë s’kemi bërë, akoma më shumë duhet të kishim bërë.

Jakup:Detyrën si shqiptarë, si vëllezër.

Enver: E kam amanet nga babai dhe përmes kësaj dritareje ose këtij gjiganti mediatik që në mënyrë publike ta shohin të gjithë shqiptarët që amanetin e kam dërguar më  në fund. Familja juaj edhe pse kanë kaluar 25 vjet, të kalojnë edhe 200 vjet, ne nuk harrojmë.

Për ta përjetësuar mirënjohjen, Enveri i dorëzon familjes Shkurti edhe një dhuratë simbolike në kujtim të mirësisë së tyre ku shkruhet:

“Mirënjohje! Faleminderit nga zemra familja Shkurti për mirëpritjen tuaj të ngrohtë dhe bujare. E vlerësojmë shumë kohën dhe përpjekjen për të na bërë të ndihemi si në shtëpinë tonë. Shumë faleminderit për gjithçka! Përzemërsisht, familja Fondaj, Kosovë”.

/tvklan.al