Ish-futbollisti, Agim Ibraimi, në një lidhje në “Klan News”, foli për ndeshjen e sotme të Shqipërisë ndaj Spanjës.

Sipas tij, kuqezinjtë duhet të jenë agresivë dhe të ashpër, për të marrë një rezultat pozitiv, qoftë barazim apo fitore.

Ibraimi theksoi se nuk mund të flitet për ekip të dytë te Spanja, për shkak të emrave të mëdhenj në përbërje.

“Në ndeshje të tilla, nuk duhet as motiv dhe asgjë para ndeshjes. Prezenca e ekipit kombëtar, është motiv vetë. Çunat janë gati për të plotësuar ëndrrën e çdo shqiptari. Me lojë të ashpër dhe luftë të madhe, mendoj se mund t’i marrim pikë Spanjës.

Nuk dua të them se është ekipi i dytë i Spanjës. Kemi parasysh Dani Olmo, që është lojtar kyç te Leipzig. Aty nuk ka ekip të dytë. Ashtu siç është edhe te Shqipëria. Nuk ka ekip i parë apo i dytë, por vetëm shpirt luftarak. Me agresivitet dhe duke mos i ruajtur, duhet të luajmë ashpër që të marrim barazimin, pse jo edhe fitoren.”, deklaroi Ibraimi.

I pyetur për dënimin e Mirlind Dakut, ish-sulmuesi u shpreh se i ka ndodhur edhe atij e njëjta gjë në karrierë. Në lidhje me Armando Brojën, Ibraimi deklaroi se po të ishte ai trajner, do të luante me të në sulm gjithë kohën.

“Kam bërë edhe unë një gabim si Daku, në ndeshjet e Europës, i kam shkuar arbitrit me kokë shumë afër. Në ato momente emocionet janë të mëdha. Ne si komb duhet të ulim emocionet dhe të luajmë me shpirt në fushë dhe jo jashtë fushës.

Mendoj se Shqipëria ka grup shumë të mirë.  E ka dëshmuar në kualifikuese. Agresiviteti dhe ashpërsia nuk duhet të mungojnë. Spanja nuk e toleron që të dëmtohen lojtarët e saj. Duke i lodhur lojtarët e Spanjës, mund të marrim rezultat.

Pas ndeshjes, është e lehtë të bëhemi 3-4 milionë trajnerë. Secili duhet të shikojë punën e tij. Janë gabime teknike dhe jo diçka që dikush do ta bëjë. Futbollistët kritikat nuk i marrin aq afër zemrës. Unë do luajë gjithë kohën me Brojën, për shkak të shpejtësisë që ka dhe problemeve që mund t’i hapë kundërshtarëve. Duhet sa më shumë vlerësim nga ana jonë. Nëse të huajt na vlerësojnë, edhe në duhet t’i vlerësojmë.

Spanja e ka siguruar kalimin e grupit dhe kjo mund të jetë diçka pozitive për Shqipërinë në këtë takim.”, u shpreh Agim Ibraimi.

Ndeshja Shqipëri-Spanjë, transmetohet ekskluzivisht në Tv Klan./ tvklan.al