Kombëtarja Shqiptare e Futbollit mbërriti në Tiranë, pas eliminimit nga Euro 2024. Trajneri Silvinjo, stafi teknik dhe një pjesë e futbollistëve kuqezi udhëtuan nga Gjermania drejt Shqipërisë. Kuqezinjtë bënë një performancë mjaft të mirë në “Grupin e Ferrit”, duke pasur përballë kundërshtarë të nivelit të lartë. I këtij mendimi është edhe trajneri Sylvinho.

“Nuk ka qenë fare e lehtë! Jemi përballur me lojtarë të nivelit më të lartë. Kemi mësuar shumë. Të hysh kundër një Italie të fortë, Kroacisë së fortë, Spanjës shumë të fortë, kjo nuk ka çmim, është flori. Për futbollistët, për ne! Kemi një rrugë të gjatë para, duhet të jemi të sinqertë. Kemi shumë lojtarë të rinj! Ata e kanë prezantuar shumë mirë vendin, shumë lojtarë të mirë, kanë marrë eksperiencë, kështu që jemi ne rregull. Jam pjesë e kombëtares dhe kam 1 vit e gjysmë, po bëjmë një punë të mirë. Ne punojmë bashkë, asnjëherë vetëm. Ky vend është i jashtëzakonshëm, për mua është bukur të përfaqësoj këtë vend. I falenderoj të gjithë futbollistët”.

Edhe për futbollistët kjo ishte një eksperiencë unike. Kualifikimi nuk u arrit, por Kuqezinjtë u larguan me një opinion pozitiv në sytë e shikuesve të këtij Europiani në të gjithë botën, duke thyer një rekord në historinë e gjithë kampionateve, atë të shënimit të golit më të shpejtë, të Nedin Bajramit, në sekondën e 23 kundër kampiones në fuqi, Italisë.

Tv Klan