Mediat italiane masakrojnë kombëtaren pas eliminimit nga europiani. Suksesi i Zvicrës me meritë nuk përmendet në titujt e faqeve të para të mediave sportive. Zhgënjimi është përqendruar në kritikat madje edhe talljet ndaj përfaqësueses së futbollit.

Gjithçka për të nisur nga fillimi, shkruan Gazzetta Dello Sport, Spalletti merr përgjegjësinë por do të vazhdojë në krye të skuadrës.

Dhe në fakt Spalleti thotë se dështimi është i tij personal, por në fjalët e tij pas ndeshjes nuk duket se ky dështim do ta bëjë të tërhiqet nga posti I trajnerit.

“E ardhmja e kombëtares italiane varet nga zgjedhjet e ndryshme, sepse kjo është ajo që duhet: zgjedhje të ndryshme. Ne kemi nevojë për djem me më shumë këmbë. Le të themi nëse kemi dështuar, atëherë është dështimi im. Ne dështuam për shkak të përzgjedhjes së ekipit tim, dhe për sa i përket mënyrës se si u solla”, tha ai.

“Një turp” është titulli i Corriere Dello Sport, ndërsa opinionistët e konsiderojnë kombëtaren si të paaftë për të luajtur futboll.

“Falimentim kombëtar” shkruan TuttoSport. Ndërsa media të tjera janë edhe më të ashpra.

“Një Itali e mundur dhe e poshtëruar” shkruan Corriere della Serra, ndërsa Libero me titullin e saj u thotë futbollistëve që tashmë duhet të shkojnë të punojnë me shat në bujqësi.

Italia pësoi dy gola ndaj Zvicrës. Në pjesën e parë shënoi Freuler ndërsa në të dytën Vargas. Tashmë Zvicra do të presë fituesit e çiftit Angli-Sllovaki.

Në mbrëmjen e djeshme edhe Gjermania siguroi kalimin në ccerekfinale pas fitores 2-0 ndaj Danimarkës. Gjermanët do të përballen me fituesen e ndeshjes Spanjë – Gjeorgji.

Tv Klan