Paraqitja mbresëlënëse e Shqipërisë në kampionatin europian, pavarësisht se kundër kishte tre ekipet që janë pjesë e 10-shes më të mire të botës, ka bërë që të ndiqen me interes disa futbollistë kuqezi , si edhe trajneri Silvinjo.

Ky i fundit është në negociata me federatën shqiptar për të rinovuar, por sipas sportives spanjolle “AS”, interes për të ka nga disa klube europiane.

Në institucionin shqiptar të futbollit duan që ai të rinovojë deri në Botërorin e 2026-ës, ndërsa braziliani pas mbërritjes në Tiranë nga Gjermania, tha se e konsideron veten si pjesë të projektit kuqezi.

“Në javët në vijim do të vijojnë ofertat për një trajner që ashtu si ekipi i tij ka dalë plotësisht në vitrinë gjatë këtij Euro”, raporton “AS”.

Shqipëria e mbylli e fundit në Grupin B, ku kundërshtare kishte Spanjën, Italinë dhe Kroacinë, me vetëm 1 pikë të grumbulluar.

Kuqezinjtë shënuan tre gola dhe pësuan 5, ndërsa u larguan me një rekord, atë të golit më të shpejtë të shënuar ndonjëherë në një kampionat europian.

Sfidat e Ligës së Kombeve fillojnë në muajin Shtator e nisur nga kjo, duket se e ardhmja e Silvinjos do të mësohet zyrtarisht brenda një kohe të shkurtër.

Klan News