Po mbahen në Maqedoni zgjedhjet  e parakohshme parlamentare të cilat shihen si një test për maturinë politike të vendit. Në votime priten të marrin pjesë mbi 1 milion e 750 mijë qytetarë më të drejtë vote.

Pjesëmarrja në votime deri në orën 10 të paradites ishte mbi 12 %. 2900 qendrat e votimit janë hapur në orën 7 të mëngjesit dhe do të mbyllen në orën 19. Në këto zgjedhje të 6 të radhës, por të parat të parakohshme që pas pavarësisë, aplikohet sistemi proporcional.

Maqedonia është e ndarë në 6 njësi zgjedhore, nga çdo njësi dalin 20 deputetë. Në garë janë 18 subjekte, dy koalicione, dy kandidatë të pavarur dhe 14 parti politike. Dy koalicione tradicionalisht kundërshtare janë të formuara  nga VRMNO-DPMNE dhe Lidhja Socialdemokrate.

Në kampin politik shqiptar në garë janë PDSH, BDI, Partia e Prosperitetit Demokratik, Bashkimi Demokratik Kombëtar dhe Bashkimi Demokratik Shqiptar. Këto parti garojnë në katër zona elektorale, ndërsa ajo më e madhja është ajo me numër 6 që përfshin Tetovën, Gostivarin dhe një pjesë të Kërçovës.

Procesi i votimit po ndiqet nga mbi 5 mijë vëzhgues vendor dhe të thuaj. Masat e sigurisë në vend janë shatuar pas incidenteve të ashpra gjatë fushatës zgjedhore sidomos në pjesën perëndimore të vendit, ku shumica e popullsisë përbëhet nga shqiptarët. Në të gjithë vendin ata përbëjnë rreth 25% të 2 milion banorëve.

Qytetari 1: “Çdo parti duhet ta dijë që do të hypë në fuqi ajo duhet të mendojë për punësimin e popullit, njerëzit t’i ndihmojë në hallet e vetë në punësimin, në ekonomi. Momentalisht ekonomia është shumë më e vlefshme për çdo gjë dhe çdo njërit duhet ti vijë që të punësohet të shkollohet të jenë të lirë. Ajo është sistemi demokratik.”

Qytetari 2: “Kam dalë të votojë, të shfrytëzoj të drejtën time. Mendoj se do të fitojë partia më e mirë dhe do të bëjë për popullatën shqiptare dhe për qytetarët e Maqedonisë dhe mendoj se nuk do të ketë asnjë problem, do të jetë krejt në rregull edhe pse tani nuk ka shumë qytetarë, po presim që me vonë të shtohen edhe më shumë.”

Partia e Gruevskit VRMNO-DPMNE mendohet se ka më shumë se 30 % të votave dhe shpreson të fitojë shumicën absolute për të zbatuar reformat që kërkon Brukseli para bisedimeve për anëtarësim në BE./tvklan.al

Gazetare: Urita Dokle