Është gjetur pas 9 orësh kërkime trupi i pajetë i shoferit 21-vjeçar, Fabjol Ibraliu, i cili pësoi aksident mbrëmjen e djeshme në aksin rrugor Lushnje-Rrogozhinë. Trupi është gjetur disa metra larg makinës brenda bimësisë së dendur në oborrin e një banese në fshatin Konjat të Lushnjes.

Lajmin e ka bërë të ditur korrespondentja e Klan News, Anila Sefa, e cila teksa po raportonte për misterin e zhdukjes së trupit të të riut që prej mbrëmjes së djeshme, mësoi se trupi i pajetë i 21-vjeçarit ishte gjetur. Gjatë raportimit live të Sefës, djali 12-vjeçar i banesës ku përfundoi makina brenda në oborr pa diçka që shkëlqente dhe dalloi trupin të mbuluar nga bimësia e dendur.

Sipas Sefës, ai po drejtonte një “Ford”, i cili ka kaluar barrierat anësore dhe është futur brenda oborrit të një banese. Referuar informacioneve paraprake, dyshohet se shpejtësia tej normave të lejuara ka qenë shkaku i aksidentit.

Që prej mbrëmjes së djeshme, forcat policore dhe familjarët kanë zhvilluar kërkime për trupin e 21-vjeçarit, zhdukja e së cilit ishte mister deri para pak minutash. Kërkimet janë zhvilluar mbrëmjen e djeshme me dritë celulari.

21-vjeçari dërgoi babanë në punë në një pikë karburanti dhe po shkonte edhe vetë në punë. Për shkak të shpejtësisë 160 km/orë, mjeti doli nga rruga duke u shkatërruar i gjithi. I riu prej 2 vitesh ishte pajisur me leje drejtimi.


/tvklan.al