Nico Williams mund të jetë pasuesi i Kylian Mbappe te PSG. Sensacioni i Euro2024 ka tërhequr vëmendjen e gjigantëve të futbollit dhe jashtë kësaj vitrine nuk mund të mungonte skuadra franceze.

Pasi interesi i ekipeve të Premier League, Liverpool dhe Chelsea është zbehur disi, PSG synon të konkurojë me Barcelonën për të garantuar shërbimet e spanjollit. Madje mediat aludojnë për një takim kokë më kokë mes drejtuesve dhe përfaqësuesve të futbollistit të Athletic Bilbao, për të testuar edhe shanset për një kalim të tij në Ligue 1.

Klauzola prej 58 milionë eurosh do të ishte e përballueshme për PSG, që është në kërkim të zëvendësuesit të Mbappe për sezonin e ardhshëm. Por emri i tij nuk është i vetmi, pasi në fokus gjendet edhe Jadon Sancho.

Anësori anglez do të ishte i gatshëm për tu bashkuar me francezët edhe pse fillimisht duhet një akord mes klubit të Manchester United dhe PSG. Huazimi me të drejtë blerje do të ishte formula e pëlqyer nga të dyja palët.

Klan News