Mjekët sllovakë do të takohen të hënën e javës së ardhshme për të vlerësuar shëndetin e kryeministrit sllovak Robert Fico dhe për të diskutuar mundësinë e transportimit të tij nga Banska Bystrica në kryeqytetin Bratislava. Fico mbetet në një gjendje të rëndë, por të qëndrueshme dhe sipas mjekëve ai është gjithashtu në gjendje të komunikojë pak. Mediat lokale raportojnë se një këshill mjekësor do të mblidhej të hënën për të vlerësuar gjendjen e tij dhe për të vendosur nëse ai mund të transportohej.

Kryeministri hungarez Viktor Orban në një intervistë për radion publike të vendit u shpreh se gjendja aktuale e Fico-s është mes jetës dhe vdekjes. Orban tha se edhe nëse Fico shërohet, ai nuk do të rikthehet në punë për muaj të tërë në një kohë kritike në prag të zgjedhjeve të Parlamentit Evropian që do të mbahen në fillim të muajit të ardhshëm.

“Ne po përballemi me një zgjedhje që do të vendosë jo vetëm për anëtarët e Parlamentit Evropian, por së bashku me zgjedhjet në SHBA, mund të përcaktojnë rrjedhën e luftës dhe paqes në Evropë”, tha Orban.

Atentati ndaj kryeministrit sllovak është përpjekja e parë e madhe për vrasjen e një lideri politik evropian në 20 vitet e fundit dhe ka tërhequr kritika ndërkombëtare. Analistët politikë dhe ligjvënësit thonë se ajo ka ekspozuar një klimë politike gjithnjë më të polarizuar si në Sllovaki ashtu edhe në mbarë Evropën.

Plagosja e kryeministrit ndodhi pas një aktiviteti në qytetin e Handlovës 150 kilometra në verilindje të Bratisllavës, ku ai doli të takonte disa mbështetës, mes të cilëve ishte edhe atentatori. Ngjarja ndodh teksa Fico, një politikan me pikëpamje pro-Moskës po përballet me protesta masive kundër reformës së radiotelevizionit publik, që sipas opozitës pro-europiane synon ta vendosë atë nën kontrollin e tij të plotë, në shkelje të fjalës së lirë.

Klan News