Lajme Arkiva – TV Klan 2003

Të pandehurit e dosjes “Kokaina”, kundërshtuan një zëri dëshminë e kolumbianit Triana Mateos. Materiali u lexua në seancën e djeshme dhe u shoqërua me debate mes palëve në proces. Sipas deklarimeve të Triana Mateosit, i pandehuri Koçiu, ishte personi që do të bëhej garant për transportimin e kokainës, e cila planifikohej të kalonte në Shqipëri dhe më pas në Rusi.

Koçiu gjatë seancës së sotme e cilësoi të parregullt mënyrën e marrjes së dëshmisë, pasi kolumbiani është pyetur në Amerikë nga autoritetet italiane. Kundër kësaj prove u deklarua edhe i pandehuri tjetër Frederik Durda dhe të tjerët. Kjo qe prova e fundit që paraqitet në dosjen “Kokaina” me 6 të pandehur. Ata akuzohen për krijim bande kriminale, falsifikim dokumentesh dhe armëmbajtje pa leje. Së shpejti pritet që prokurorët të japin konkluzionet përfundimtare.

Ndërkohë në Gjykatën e Tiranës është shtyrë seanca ndaj katër të pandehurve të akuzuar për dëmin prej rreth 1 milion dollarësh shkaktuar buxhetit të shtetit. Ata janë ish-punonjës të Albtelecomit dhe gjykohen të lirë kundrejt një garancie pasurore prej disa mijëra dollarësh. Prokurori i çështjes tha, se seanca nuk mund të vazhdonte, pasi ende nuk është bërë e mundur gjetja e adresave të dëshmitarëve të kërkuarve prej tij./tvklan.al