Këtë të hënë u hodh shorti për “Final Four” që do të përcaktojë në fund fituesin e Superiores. Egnatia do të luajë me Vllazninë ndërsa Partizani do të përballet me Skënderbeun.

Këto sfida i japin mundësinë Egnatias dhe Partizanit, duke qenë se kanë dalë në vendin e parë dhe të dytë, në përfundim të kampionatit që të kalojnë në finale edhe duke marrë një barazim.

Të gjitha ndeshjet e “Final Four” do të zhvillohen në stadiumin “Air Albania”, në periudhën 17-26 Maj. Gjysmëfinalja e parë do të luhet më datë 17 Maj, duke nisur nga ora 20:00, ndërsa gjysmëfinalja tjetër në po të njëjtën orë më 19 Maj.

Finalja për vendin e tretë/katërt është programuar të luhet më 24 Maj, ora 19:00, ndërsa finalja e madhe për titullin kampion më 26 Maj, ora 19:00.

SI FUNKSIONON “FINAL 4”

Ekipet pjesëmarrëse

4 vendet e para të “Abissnet Superiore” në përfundim të kampionatit të rregullt.

Shorti

Ekipet ndahen në dy vazo, vazo 1 (vendi i parë dhe i dytë), vazo 2 (vendi i tretë dhe i katërt) dhe përmes shortit përcaktohen çiftet gjysmëfinaliste.

Gjysmëfinalet

Kalimi në finale përcaktohet në 90 minuta. Ekipet fituese kalojnë në finalen për titullin kampion. Në rast barazimi në gjysmëfinale, në finale kualifikohet ekipi i renditur në vendin e parë/dytë.

Finalet

Ekipet e kualifikuara nga gjysmëfinalet luajnë për titullin kampion, ndërsa ekipet humbëse për vendin e tretë.

ÇFARË PËRFITOJNË KLUBET SPORTIVISHT

Vendi i parë në FINAL 4: Pjesëmarrje në turin e parë kualifikues të Champions League

Vendi i dytë në FINAL 4: Pjesëmarrje në turin e parë kualifikues të Conference League

Vendi i tretë në FINAL 4: Pjesëmarrje në turin e parë kualifikues të Conference League

Vendi i katërt në FINAL 4: Pjesëmarrje në turin e parë kualifikues të Conference League nëse Kupa e Shqipërisë fitohet nga një prej tre ekipeve të para në Final 4

/tvklan.al