Policia e Vlorës vijon aksionin për të liruar hapësirat publike në plazhe. Për këtë arsye në Lungomare janë hequr 120 çadra dhe shezlongë që ishin vendosur pa lejen përkatëse. Në lidhje me rastin është proceduar në gjendje të lirë një person.

Njoftimi i policisë

Policia e Vlorës, kontrolle në kuadër të planit operacional policor të koduar “Plazh i lirë”, në vijën bregdetare, me qëllim lirimin e hapësirave publike në plazhe, për pushuesit.

Lirohet hapësira në vijën bregdetare, në Lungomare, Vlorë.

Procedohet penalisht administratori i subjektit të paregjistruar në organet tatimore, i cili zuri hapësirën publike në plazh, duke vendosur pa lejen përkatëse, çadra dhe shezlogë.

Sekuestrohen 120 çadra dhe shezlongë.

Në kuadër të planit operacional për kontrollin e vijës bregdetare dhe lirimin e hapësirave bregdetare të zaptuara në mënyrë të kundërligjshme, nga subjekte të ndryshme që vendosin çadra dhe shezlongë, nga Komisariati i Policisë Vlorë, u referuan materialet në Prokurori dhe nisi procedimi penal për shtetasin I. B., 55 vjeç, banues në Vlorë.

Shërbimet e Policisë Vlorë, në bashkëpunim me Policinë Bashkiake Vlorë, kanë liruar hapësirën publike, duke hequr 120 çadrat dhe shezlongët që ishin vendosur pa lejen përkatëse, në vendin e quajtur “Lungomare”.

Materialet u referuan në Prokurori, për veprime të mëtejshme.

Operacionet policore “Coastline” dhe “Plazhi i lirë” do të vijojë intensivisht në qarkun Vlorë./tvklan.al