Ish-sulmuesi i klubit të futbollit Tirana dhe një nga ikonat e kohës moderne të kësaj skuadre Idrit Fortuzi ka nisur karrierën prej trajneri me klubin Skënderbeu në Korçë.

I adhuruar nga tifozët bardh e blu për sjelljen e tij, Fortuzi është prezantuar sot nga kryetari i bashkisë së qytetit të Korçës, Niko Peleshi.

Indrit Fortuzi: “Shpresoj që të dy palët bashkë të jemi të kënaqur dhe të plotësojmë objektivat e ekipit të Korçës, për t’u ngjitur atje ku me vërtetë e meriton. Jam shumë i kënaqur, shumë i gëzuar që do marr drejtimin e një ekipi me një kulturë dhe një traditë dhe një popull shumë i mirë që është i Korçës. Shpresoj që edhe unë ta justifikoj këtë besim që më kanë dhënë. Është me të vërtetë një vlerësim dhe një obligim shumë i madh për mua që të filloj karrierën si trajner me një ekip si Korça.”

Projektet janë që Skënderbeu të kthehet shpejt në një klub privat futbolli. Investimet e deritanishme janë ndërtimi i një kompleksi modern. Fortuzi ka pranuar se dëshiron të qëndrojë gjatë në këtë klub dhe të jetë pjesë e projekteve ambicioze të Skënderbeut edhe për sezonet e ardhshme.

Skuadra korçare këtë sezon është në kategorinë e parë dhe renditet e para me 33 pikë./tvklan.al

Gazetare: Daniela Zisi