Një ditë pasi njoftoi nga kongresi ndryshimet në qeveri, kryeministri Edi Rama mblodhi deputetët e grupit parlamentar bashke me kabinetin qeveritar dhe tre ministrat e rinj të propozuar prej tij, Pirro Vëngu, Ervin Hoxha dhe Petrit Malaj.

Në mbledhjen që zgjati për afro 40 minuta Niko Peleshi mori zyrtarisht drejtimin e grupit, pas largimit nga kjo detyrë e Bledi Çuçit që merr postin e nënkryetarit te kuvendit.

Më shumë se 30 deputetë socialistë firmosën për propozimin e kryeministrit Rama për emërimin e Elisa Spiropalit në postin e kryetares së parlamentit, pas largimit të Lindita Nikollës nga kjo detyrë që e mbajti për 3 vjet.

Votimi për ndryshimet në drejtimin e kuvendit dhe qeveri ishin parashikuar për këtë të hënë.

Por në mbledhjen e grupit parlamentar socialist u vendos që seanca e posaçme parlamentare te shtyhet për të martën, në pritje të dekretimit të tre ministrave të rinj nga presidenti Begaj.

Burime nga presidenca bëjnë me dije se ndryshimet në qeveri janë në proces verifikimi. Menjëherë pas dekretimit nga kreu i shtetit ato do të kalojnë në kuvend, ku për t’u miratuar kërkojnë një shumicë të thjeshtë votash.

Pas votimit në parlament, ministrat e rinj do të duhet të betohen përpara Presidentit të Republikës.

Tv Klan