Shkodra pret investimet e premtuara. Kryeqëndra e veriut nuk po i gëzohet akoma premtimeve të mëdha për investime. Papunësia, mungesa e strehimit por më shumë mungesa e investimeve ua ka vështirësuar jetën banorëve shkodranë të cilët presin që dikush të kujtohet për ta. Institucionet qëndrore apo ministritë e ndryshme reklamojnë projektet, ndihmat apo investimet e mëdha që presin Shkodrën, por fajin e moszbatimit të tyre ja vënë Pushtetit Lokal që tregohet indiferent duke i lënë ata pas dore. Prefekti i Shkodrës Jetmir Shpuza pranon që ka njëfarë konfuzioni brenda Pushtetit Lokal por ama nuk nguron të fajësojë Ministritë e ndryshme për moszhvillimin e shumë investimeve.

Jetmir Shpuza: Ka dhe një të metë tjetër që vijnë nga stafi i ultë i ministrive jo nga Ministri apo Zëvëndës Ministri, sepse një nënpunës ministrie mund të vonojë në sirtarin e tij çeljen e fondeve, pra janë akorduar fondet por nuk janë çelur akoma. Dhe kjo vonesë në çeljen e fondeve shkakton vonesë edhe tek ai organ që i prokuron këto fonde.

Shpuza thotë se rendi në qytet ka patur përmirësime këto ditët e fundit.

Jetmir Shpuza: Prandaj në Shkodër janë edhe më të dukshme rezultatet e përmirësimit të rendit, dhe forcimi i një policie sa më bashkëkohore.

Duke u nisur nga ky fakt, prefekti tregohet optimist dhe shpreson në një bsahkëpunim më të mirë me Pushtetin Qëndror që ky i fundit të kujtohet më shumë për Shkodrën dhe Shkodranët si dhe për investimet e premtuara./tvklan.al

Gazetar: Eduart Frangaj