Konventa e Lëvizjes së Gruas për Integrim në rrethin e Matit, ka mbledhur qindra gra dhe vajza në takimin ku mori pjesë dhe kryetari i LSI-së Ilir Meta. Forcimi i rolit të gruas në shoqërinë shqiptare ishte kryefjala e kësaj konvente. Kryetari Meta deklaroi se forca politike që drejton po luan rolin më të rëndësishëm në atë që ai e quajti revolucioni social, përsa i përket integrimit të gruas shqiptare.

Ilir Meta: “Lëvizja Socialiste për integrim është forca jo vetëm më e hapur, por është forca  e cila po tregon çdo ditë jo vetëm këtu në Mat, jo vetëm në Dibër, por në radhë të parë në Tiranë dhe në të gjithë Shqipërinë se do të jetë në krye të këtij revolucioni social që përmirëson rolin e vajzave, të gruas, të nënës në shoqërinë tonë.”

Duke folur për problemet që  gruaja shqiptare has çdo ditë Meta u ndal tek mungesa e ujit dhe energjisë elektrike. Konventës ju drejtua dhe sekretarja e LSI-së për Qarkun e Dibrës Monika Kryemadhi, e cila nënvizoi faktin se LSI bën ndryshim nga forcat e tjera politike, jo vetëm për nga programi, por dhe nga hapësirat që ka krijuar për pjesëmarrjen e grave në forumet drejtuese dhe nga mënyra e vlerësimit dhe nxitjes së pjesëmarrjes së gruas në politikë./tvklan.al

Gazetare: Neki Feta