Kryeministri Hashim Thaçi ka deklaruar sot, se gjithçka po shkon si duhet në procesin e njohjes së pavarësisë së Kosovës. Ai ka thënë se një numër i konsiderueshëm shtetesh janë në proces të shqyrtimit të kërkesës së republikës së Kosovës për ta njohur realitetin e krijuar pas 17 shkurtit.

Hashim Thaçi: “Ka qenë një javë e mirë edhe e vazhdimit të njohjes së pavarësisë së Kosovës nga vendet tjera. Kemi fituar njohjen e San Marinos për çka e falënderoj dhe natyrisht se në të njëjtën kohë ftoj edhe shtetet tjera që të vazhdojnë njohjen dhe të respektojnë kërkesën e institucioneve të republikës së Kosovës për njohjen e shtetit të pavarur sovran dhe demokratik të Kosovës.”

Kryeministri Thaçi në mbledhjen e rregullt të qeverisë tha, se do të vazhdohet edhe më tutje procesi i lobit për njohjen e pavarësisë së Kosovës. Në këtë kuadër ai ka përmendur vizitat që po bën ministri i jashtëm Skënder Hyseni në Amerikën Latine.

Hashim Thaçi: “Ka vazhduar lobimi për çështjen e njohjes së pavarësisë së Kosovës e në të njëjtën kohë kemi punuar aktivisht që procesi edhe i njohjes, por dhe i angazhimeve për implementimin e kritereve për t’u afruar Kosova sa më shpejt që është e mundur në NATO dhe BE. Janë duke vazhduar prej institucioneve shtetërore të republikës së Kosovës.”

Deri më tani Kosova është njohur nga 41 shtete, njohja e fundit mbërriti nga San Marino./tvklan.al