Me 22 Mars çdo gjë nis të marrë jetë dhe gjallëri, duke shënuar nisjen e stinës së pranverës. Kjo është edhe simbolika kryesore e diteës së Sulltan Novruzit ku qindra besimtare bektashinj u mblodhën në selinë e shenjtë të Kryegjyshatës Botërore Bektashiane.

Me këngë e valle siç i ka hije kësaj feste të shenjtë, besimtarët urojnë për më shumë harmoni e mbarësi në çdo familje.

“Uroj që të jetë një mbarësi, vit i mbarë. Lumturi në familjet e tyre. Shëndet, jetë dhe sa më shumë fat.”

“Mbarësi, shëndet në Shqipëri.”

“Mbarësi, shëndet dhe harmoni.”

“Gëzuar, mbarësi për këtë vend dhe për të gjithë njerëzit.”

“Besimtarëve ju urojmë gëzuar dhe paçi vetëm mbarësi.”

Në këtë ditë të rëndësishme, Haxhi Dede Edmond Brahimaj, Kryegjyshi Botëror i Bektashinjve bëri thirrje për më shumë paqe, dashuri dhe mbështetje ndaj njeri-tjetrit.

“Uroj që të kemi sa më shumë paqe, mirësi, dashuri mes njëri-tjetrit. Të merren me veten, me punën, diturinë se ato na shmangin nga gjërat e këqija për të shkuar tek zoti të pastër siç na ka krijuar. Unë uroj shqiptarëve mbarësi në këto ditë të vështira që po kalojmë vetëm duke u udhëhequr nga drita e librave të shenjtë, duke iu kthyer zotit ne do të arrijmë qëllimin e kësaj bote të përkohshme.”

Në Ditën e Sulltan Novruzit nuk munguan as urimet nga përfaqësuesit e shtetit dhe të politikës.

Fjala “Novruz“ që vjen nga persishtja do të thotë “Dite e re”. Kjo ditë përkon edhe me ditën e lindjes së Imam Aliut.

Në këtë ditë feste, bektashinjtë gatuajnë ushqimet karakteristike, që janë byreku me 12 lloj të ndryshme barishtesh dhe brenda tij futet edhe nje monedhe e cila sjell mbarësi. Bimët simbolizojnë jetën e re që çel në pranverë dhe begatinë. Padiskutim në tryezë në ditën e Sulltan Novruzit nuk mungon mishi apo dhe sultiashi që është ëmbëlsira karakteristike e kësaj feste.

Klan News