Kjo është sherbela, një ndër bimët mjekësore që zë peshën kryesore të eksporteve shqiptare.
E destinuar kryesisht për tregun amerikan të farmaceutikës dhe aromatikes. Industria e grumbullimit të bimëve medicinale në vendin tonë duket se nuk i ka shpëtuar efekteve negative të krizës globale.

Këtu jemi në një prej fabrikave më të mëdha të mbledhjes dhe distilimit të bimëve mjekësore në qarkun e Lezhës. Kjo kompani ka eksperiencë disavjeçare në këtë fushë dhe në të janë të punësuar mbi 50 punëtor. Administratori i saj thotë se varësia nga tregu amerikan ka dhënë ndikimet e para si në shkrimin e kontratave ashtu dhe në likuiditetin e parave.

Filip Gjoka: “Ndikimi i krizës globale erdhi disi pa pritur, çka na ka sjellë një mbijetesë me shumë vështirësi në treg, në aspektin e vazhdimësisë së kontratave, të mbylljes së kontratave të reja dhe problemi më i madh, do të theksoj është në finalizimin e pagesave”.

Pa kilometra më larg drejtuesit e një tjetër fabrike me aktivitet të gjerë në Malësinë e Madhe, shprehen se muajt e fundit është vënë re një ulje e interesit nga kompanitë e huaja.

Vasel Muçaj: “Kriza financiare që ka përshkru gjithë botën, dashje, pa dashje do prekemi dhe ne. Sepse janë luhatjet e kursit të këmbimit të cilat nganjëherë të detyrojnë që të rezervohesh për sa i përket investimit edhe prodhimit”.

Për të kaluar këtë moment të vështirë, eksportuesit e bimëve mjekësore i sugjerojnë qeverisë miratimin e një pakete ndihmëse që t’u lejonte atyre marrjen e kredive të buta.

Filip Gjoka: “Ashtu sikur disa vende të tjera të cilat kanë krijuar fondet e garancisë për krizat. Të gjithë eksportuesve tanë t’u jepet ndihmë a me kredi të zbutura ose një formë tjetër financimi me qëllim që të ruhet niveli i eksporteve”.

Sot në vend janë rreth 20 mijë familje që sigurojnë të ardhura nga grumbullimi i bimëve medicinale. Kjo industri është e shtrirë kryesisht në Shkodër, Koplik, Durrës, Tiranë ku funksionojnë 4 fabrika të përpunimit dhe mbi 20 minifabrika të përpunimit të bimëve aromatike. Eksporti i bimëve medicinale, gjatë vitit 2008 shënoi mbi 8 mijë tonë bimë medicinale me një vlerë rreth 18 milion dollarësh./tvklan.al

Gazetar: Leonard Mitro