Të vendoset afati për anëtarësimin e Ballkanit Perëndimor

Suksesi i Samitit BE-Ballkani Perëndimor për planin prej 6 miliardë eurosh për rritjen ekonomike është pasuar nga një letër e shtatë kryediplomatëve drejtuar Brukselit. Ministrat e Jashtëm të Italisë, Greqisë, Çekisë, Sllovakisë, Kroacisë, Sllovenisë dhe Austrisë  kërkojnë përshpejtim të procesit të Zgjerimit duke vendosur afate konkrete për këtë.

“Kanë kaluar më shumë se dy dekada që kur Këshilli miratoi Deklaratën e Selanikut. Ka ardhur koha për përparim vendimtar në procesin e zgjerimit të BE-së drejt Ballkanit Perëndimor. Një kohë e qartë dhe e arsyeshme për pranimin e tyre është më urgjente se kurrë. Koha është thelbësore. Çdo vonesë do të dëmtojë besueshmërinë e BE-së dhe do të ketë një ndikim negativ në procesin e integrimit evropian të rajonit.”

Nga Charles Michel, Ursula von der Leyen dhe Roberta Metsola kërkohet që të angazhohen personalisht “për të finalizuar me prioritetin më të lartë negociatat ndërinstitucionale për ‘Lehtësimin e Rritjes dhe Reformës për Ballkanin Perëndimor’ përpara zgjedhjeve të Parlamentit Evropian.

“Në këtë kontekst, ne mirëpresim dhe mbështesim Planin e ri të Rritjes të Komisionit Evropian për Ballkanin Perëndimor. Ky plan ofron një mundësi konkrete për ta afruar rajonin me tregun e vetëm të BE-së, për të thelluar integrimin ekonomik rajonal dhe për të përshpejtuar reformat themelore. Nëse zbatohet me sukses, ai do të kontribuojë në nxitjen e konvergjencës socio-ekonomike, duke trajtuar ikjen e trurit nga rajoni, duke sjellë përfitime të prekshme për qytetarët e tij dhe duke mbështetur rrugën e Ballkanit Perëndimor drejt anëtarësimit në BE. Prandaj, ne bëjmë thirrje për angazhimin tuaj personal për të finalizuar me prioritetin më të lartë negociatat ndërinstitucionale për “Lehtësimin e Rritjes dhe Reformës për Ballkanin Perëndimor” përpara zgjedhjeve të Parlamentit Evropian.”

Në zgjedhjet e 6-9 qershorit priten të mësohen emrat e eurodeputetëve të rinj dhe krerëve të rinj të institucioneve evropiane në kryeqytetin belg.

Klan News