Është kthyer sot në Tiranë pas një vizite dy ditore në Itali Kryeministri Majko. Në takimin me Kryeministrin Italian Masimo Dalema, Majko ka marrë garanci se Italia do të mbështesë projekte konkrete që Qeveria Shqiptare do të paraqesë në Konferencën e Barit në Tetor në vijim të Samitit të Sarajevës. Shqipëria synon të përfitojë shifrën prej 4.5 milion dollarësh për të realizuar projektet e saj në infrastrukturë, energjitikë dhe telekomunikacione.

Italia dhe Shqipëria kanë rënë dakort për masat që duhen marrë në frenimin e trafiqeve ilegale të klandestinëve, armës dhe drogës. 60 mijë emigrantë shqiptarë janë legalizuar ndërkohë që rreth 1200 të rinj shqiptarë do kenë mundësinë të vazhdojnë studimet e larta në Itali. Investitorët italianë kanë shprehur ambiciet e tyre për të dominuar tregjet shqiptare dhe kosovare dhe për tu angazhuar në projektet e reja ballkanike.

Dalema ka deklaruar se ushtarët italianë do të dominojnë misionin e ri të NATO-s në Shqipëri, AFOR 2 dhe do luajnë një rol të veçantë në përbërjet e KFOR-it në Kosovë./tvklan.al

Gazetar: Vladimir Lame