Lufta në Kosovë dëshmon se kombi shqiptar dha një provë të madhe të lexueshme partneriteti me Komunitetin Ndërkombëtar në përgjithësi dhe me NATO-n në veçanti, duke mos bërë në asnjë rast rolin e viktimës. Ne ndjehemi pranë NATO-s sepse kemi të njëjtin frymëzim me të sepse ndajmë të njejtën aspiratë që frymëzon politika e vendeve anëtare të NATO-s kurrë më me diktatorët. Me këto fjalë Kryeministri i Shqipërisë Pandeli Majko ka përshëndetur Atashetë Ushtarake të vendeve të NATO-s dhe drejtuesit e Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Shqiptare në ditën e parë të hyrjes së trupave ushtarake të NATO-s në Kosovë.

Gjatë 78 ditënetëve të Fushatës Ajrore të NATO-s, të gjithë ne i kemi mbajtur sytë nga qielli, andej nga vjen dhe lëshimi i zotit për të keqen, tani ne bekojmë zinxhirët e tankeve të NATO- s se do të shpërthejnë përfundimisht zinxhirët e robërisë së gjysmës së popullit shqiptar. Ushtria Shqiptare dëshmoi një pjekuri të rrallë, forcë e vitalitet deri në pathyeshmëri. Dhe ata mijëra ushtarë që u rreshtuan në vijën e frontit meritojnë dafina për mënyrën shembullore se si plotësuan detyrat e kryera në krahë të ushtarakëve të NATOs duke u shndërruar në simbolin më të domethënës të bashkëpunimti të ngushtë me Aleancën më të fuqishme të botës.”-tha Kryeministri Majko.

Ushtria Shqiptare në këtë konflikt dëshmoi maturi e pjekuri të rrallë përballë provokacioneve serbe që kërkonin tërheqjen e Shqipërisë në këtë konflikt, theksoi Majko. Tek NATO, tha ai, paqja ka tashmë mbrojtësin e vet të merituar. Krimi do të ketë prokurorin e tij për ta ndëshkuar, të ikurit do të kenë të hapur rrugën për tu rikthyer. Majko vlerësoi epopenë luftarake që shkruan djemtë e vajzat e UÇK-së.

Sot fushat dhe luginat e Kosovës janë të mbjella me mina, vijoi Majko, ndaj duhet t’a çminojmë të gjithë këtë tokë, të ndërtojmë rrugët që do të bashkojnë popujt e Ballkanit, rrugët që të nisin e të përfundojnë në Europë. Ne shqiptarët i njohim mirë sfidat e së ardhmes, por besimi i thellë e bëri Krishtin të ecë mbi baltë përfundoi Kryeministri Majko.

Fjalën më pas e mori Ministri Hajdaraga i cili shprehu mirënjohjen për Shtabin e Përgjithshëm dhe efektivat e Ushtrisë Shqiptare në këto muaj të mbushur me provokacione dhe incidente në kufi. Ushtria do vazhdojë të jetë garant i stabilitetit të vendit, përfundoi Hajdaraga. Në fund të ceremonisë anëtarët e kabinetit Majko u përshëndetën me ushtarakët e NATO-s dhe të Ushtrisë Shqiptare./tvklan.al

Gazetar: Vladimir Lame