Lajme Arkiva – TV Klan 2003

Kryeministri Fatos Nano përuroi Qendrën Kombëtare të Stërvitjes bazë të Forcave të Armatosura Shqiptare në Bunavi të Vlorës. Një qendër e tillë ngrihet për herë të parë falë asistencës amerikane për përgatitjen e rekrutëve. Në këtë bazë, e cila dikur ishte repart këmbësorie, rekrutët do t’i nënshtrohen stërvitjes dymujore dy herë në vit dhe më pas do të shkojnë të përgatitur në çdo repart ushtarak të Shqipërisë.

Rekrutët do të trajtohen me dinjitet edhe pse paga mujore ndaj tyre do të jetë 6 mijë lekë të vjetra, kompensimi i vlerës materiale do të jetë dashuria për armën dhe atdheun. Kostoja për ngritjen e kësaj brigade, vetëm shpenzime për infrastrukturën për vitin 2003 ka qenë 107 milion lekë, për vitin 2004 rreth 125 milion lekë dhe për periudhën 2005 e në vazhdim deri në vitin 2010 do të kapë shifrën 247 milion lekë.

Në Vlorë kryeministri Fatos Nano u premtoi peshkatarëve ulje 50% të kostos. Vendimi i qeverisë për heqjen e aksizës së naftës për peshkimin, konkretizohet në 29 Shtator me fituesin e tenderit që do t’u shesë 215 subjekteve përfituese të këtij sektori, 27 mijë ton naftë. Impakti i mbështetjes së qeverisë është 3.2 milion dollarë. Kryeministri Fatos Nano ka ngarkuar Ministrin e Ekonomisë Arben Malaj për të zgjidhur dy problemet kryesore që shqetësojnë organizatën e menaxhimit të peshkimi.

Për rehabilitimin e porteve, qeveria do të investoj 3 milion dollarë, si dhe 12 milion të tjera për fuqizimin e infrastrukturës në peshkim, kjo për faktin se ky sektor shikohet si prioritar për zhvillimin ekonomik të vendit. Si qeveria dhe Banka Botërore kanë nisur projektin e zhvillimit për peshkimin, i cili kushton 6.6 milion dollarë./tvklan.al

Gazetare – Arta Tozaj