Kryetarët e gjashtë njësive bashkiake të Tiranës kanë ndarë të njëjtin qëndrim në diskutimin për buxhetin e bashkisë për vitin 2009 për të mos e votuar atë, duke argumentuar se në të nuk parashikohet asnjë investim për njësitë vendore që ata drejtojnë.

Të mbledhur në një takim për të diskutuar mbi projektbuxhetin kërkuan që drafti të rishikohet.

Gert Bogdani: “Buxheti quhet “thuaj fjalën tënde”. Unë më mirë them thuaj fjalën time. Pyet pesë vetë dhe bëj si di vetë sepse 20  banorë që zoti Rama mbledh njësinë dhjetë nuk mund të përfaqësojnë mendimin e 36 mijë banorëve. Është për të ardhur keq që një njësi si njësia 10 në qendër të Tiranës të ketë zero investime të reja. Për mendimin tim ajo kërkesë që ne kemi bërë dhe sot paradite qëndron. Këshilli bashkiak mos ta votojë projektbuxhetin. Ka kohë deri në 31 Dhjetor, të mblidhet prapë. Punonjësit e bashkisë të ulen prapë, të marrin parasysh prioritetet për secilën zonë. T’i paraqesin në mënyrë të ndarë nga njësia 1 tek njësia 11 dhe pastaj të votohet.”

Ilir Kokona: “Nuk shoh asnjë gjë nga njësia 3, prandaj unë jam për të mos u kaluar ky buxhet dhe të shikohet ndarja e buxhetit në përgjegjësinë bashkiake”.

Luzhiana Abazi: “Unë shoh që investim për vitin 2009 nga bashkia për njësinë nr.6 nuk ka”.

Haki Mustafa: “Nuk po them…, unë po them sa investim do bëhet që unë nuk e kuptoj këtu se nuk e ka përcaktuar zonën time sa. Ka lënë tri bashkë edhe thotë 2 miliard lekë. Sa kam unë o vëlla, ta di unë sa kam, jo se më vjen mu. Të vijnë investimet te unë, këtu e kisha fjalën, jo lekët se lekë s’na ka pru kurrë se për lekë i lëshon qimet e flokëve përpjetë.”

Gjithashtu 6 krerët e njësive bashkiake kërkuan një fond prej 10% të totalit të buxhetit të bashkisë, për ta përdorur atë për probleme te ndryshme.

Luzhiana Abazi: “Në qoftë se do bëhet një projektbuxhet i detajuar për çdo njësi bashkiake le të vijë një shumë total 10% të shumës që ka të investimeve bashkia e madhe, ta llogarisim, s’ka rëndësi sa është shuma totale t’i shkojë çdo njësie bashkiake dhe të vetëfinancohet. Ne bëjmë një propozim, pastaj ta gjejmë”.

“Propozimin ju mund ta bëni, por propozimi juaj është i pambështetur ligjërisht sepse ka një ligj i cili funksionon buxheti i shtetit dhe buxheti i shtetit nuk parashikon”.

Gert Bogdani: “Dhe ajo çfarë thotë zonja Abazi që të gjithë njësitë të kenë një fond të alokuar është shumë e drejtë. Si? Nëpërmjet buxheteve dhe propozimeve që ne kemi sjellë si njësi bashkiake sepse njësitë bashkiake janë ato që përballen ditë për ditë me qytetarët”.

Buxheti i bashkisë së Tiranës për vitin 2009 pritet të votohet ditën e premte./tvklan.al