Aventura 37-vjeçare si trajner nuk përfundoi ashtu siç duhej për Klaudio Ranierin, por arriti objektivin mbijetesë. Tekniku italian humbi 3-2 takimin ndaj Fiorentinës me Kaljarin e tij, gjithsesi gjatë karrierës ka arritur suksese të shumta.

Ndaj “vjolëve”, 72-vjeçari shkruajti një faqe të re në librat e historisë, pasi drejtoi nga stoli një skuadër të 5 ligave kryesore të Europës për herë të 912. Që prej sezonit të tij të parë si trajner në elitën e futbollit italian në sezonin 1990-1991, Ranieri ka grumbulluar kaq takime në pankinë, për të qenë vetëm pas Arsene Wenger, me 988 ndeshje.

Shifra të jashtëzakonshme që tregojnë edhe potencialin e 72-vjeçarit. Ranieri ka marrë drejtimin e 18 skuadrave dhe një eksperiencë të shkurtër në kombëtaren e Greqisë gjatë karrierës që nisi në vitin 1986. Sezoni më i mirë ishte titulli me Lejstër Sitin në vitin 2016, një skuadër që nuk shihej aspak favorite për arritjen e suksesit të këtyre përmasave.

Në karrierën e tij, Ranieri ka udhëhequr nga stoli edhe skuadra si Fiorentina, Atletico Madrid, Chelsea, Juventus, Inter dhe Monako. Gjithashtu, në dy raste ka drejtuar nga stoli Valencian, teksa ikonë u bë në periudhën kur ishte trajner i Romës.

Klan News