Në veriperëndim të vendit në Lezhë, Maratona e Këngës Popullore Qytetare mbajti zgjuar deri në orët e para të mëngjesit të gjithë qytetin.

Lezha qyteti simbol i bashkimit pati dy gëzime në një ditë, përveç se priti maratonën e këngës festoi edhe 15 gushtin, ditën e shtegtarëve. Ashtu siç është bërë tashmë traditë të quhet dita e bashkimit të emigrantëve në këtë qytet.

Në një koncert që zgjati rreth 5 orë, mijëra vetë u dëfryen nën ritmet e bukura të muzikës popullore, por edhe asaj të lehtë. Sepse për të përshëndetur maratonën e këngës në Lezhë, ashtu si edhe ditën e shtegtarëve në skenë u ngjitën emra shumë të njohur të muzikës së lehtë. E për këtë arsye eksperiencën lezhjane të maratonës edhe prezantuesit Anjeza Maja e Drini Zeqo e ndanë me një vajzë nga Lezha, OIta Paja.

 Pas shtegtimit në shumë qytete të vendit, por edhe jashtë kufijve, spektakli i sjellë nga televizioni kombëtar Klan dhe grupi promotor u prit me mjaft entuziazëm edhe në qytetin mikpritës të Lezhës, ku një mbështetje të madhe dha edhe bashkia me kryetarin Viktor Tushaj dhe nënkryetarin Arjan Barbullushi.

Viktor Tushaj: “Abonimi edhe i maratonës së këngës popullore edhe më këtë festë i jep një gëzim dhe ritëm tjetër qytetit. Ju siç e shikoni sot janë më mijëra qytetarë, emigrantë dhe familjet e tyre të cilët do të festojnë dhe do ta kthejnë këtë festë se festën e netëve të bardha tashmë që po mbahet tre ditë në të gjitha qytetet e Shqipërisë.”

Por rrugëtimi i këtij koncerti u bë i mundur edhe falë mbështetjes së dhënë nga ministra e Kulturës nën kujdesin e ministrit zoti Ylli Pango. Sponsorit kryesor, kompania e telefonisë celulare Vodafon, por edhe mjaft mbështetës të tjerë.

Edhe artistët që interpretuan në edicionin e tretë thonë se maratona e këngës popullorë do të mbetet në kujtesë.

Çiljeta Xhilaga: “Është një kast artistësh shumë e p[përzgjedhur, janë me një karrierë shumë më të gjatë sesa unë dhe për mua është kënaqësi të jem pranë tyre në tërë këto net që është zhvilluar maratona popullore. Se besoj të ketë version më të bukur se ky i Jorgjicës, më vjen mirë sepse do të më thërrasin Jorgjica tani.”

Mimoza Paraveli: “Është një evitimet i mrekullueshëm, ju jep mundësinë të gjithë artistëve të tregojnë vlerat e tyre për të mos u harruar nga njerëzit arti i vërtetë, këngët e bukura që sillen pas kaq vitesh përsëri.”

Por si e shikon këtë eksperiencë të maratonës jashtë studiove regjisori Bledar Laço, i cili së bashku me drejtuesin artistik Adrian Hila dhe skenaristin Pandi Laço përbëjnë treshen ideuese të spektaklit, grupin promotor.

Bledar Laço: “Nuk është momenti i duhur që unë ti them këto fjalë, por më vjen mirë që rrugëtimi ynë i gjatë i maratonës së këngës popullore qytetare përfundoi kështu me këtë koncert të jashtëzakonshëm të organizuar më së miri më ndihmën e bashkisë Lezhë dhe strukturave të saj, drejtorisë së Kulturës etj. Pa dyshim vlera më e madhe e këtij koncerti ishte që doli nga rutina e skenave dhe studiove televizive dhe zbriti nëpër sheshet kryesore të qyteteve duke animuar jetën kulturore dhe artistike. Shpresojmë të kemi bërë një aktivitet me përmasa të mëdha dhe një aktivitet të mirë që pretendojmë të bëhet traditë.”

Megjithatë organizimi i suksesshëm i maratonës së këngës popullore e qytetare nuk mund të mendohet pa punën e palodhur të të gjithë stafit të televizionit Klan për të cilët spektakli në të vërtetë mbaron vetëm kur publiku largohet, sheshi boshatiset dhe atyre u mbetet të çmontojnë aparaturat e ndoshta ti bëjnë gati për në ndonjë qytet tjetër, kush e di se ku./tvklan.al

Gazetare: Daniela Kostandini