Qyteti piktoresk i Pogradecit, ka qenë ndalesa e radhës së Maratonës së Këngës Popullore dhe suksesi i radhës pas atij të Elbasanit.  Me mijëra qytetar kishin dal në sheshin përpara bashkisë për të ndjekur këtë aktivitet artistik që solli për ta muzikë e këngë të zgjedhura të muzikës popullore e qytetare. Një produksion i Televizionit Klan, Promotor dhe me mbështetjen e fuqishme të Ministrisë Kulturës dhe vetë ministrit zotit Ylli Pango.

Mbrëmja ka tërhequr gjithashtu vëmendjen e mjaftë turistëve që kanë zgjedhur Pogradecin për të kaluar pushimet. Ndërsa performanca në skenë e këngëtarëve ka ngritur në këmbë publikun.

Spektakli ka gjetur mbështetjen e plotë edhe të bashkisë së këtij qyteti dhe ka marrë vlerësime maksimale të kryebashkiakut Artan Shkëmbi, për organizimin nga TV Klan dhe Promotor, duke e konsideruar atë shumë të rëndësishëm në jetën kulturore dhe artistike të qytetit.

Artan shkëmbi: “Është një aktivitet i bukur, i cili vjen në momentin e duhur në qytetin e Pogradecit. Është një aktivitet që koecidon me fillimin e sezonit turistik të qytetit të Pogradecit dhe siç e shikoni sot në rrugë ka një popullim shumë të madh të qytetit, vizitorët kanë filluar të vijnë dhe ky aktivitet i shërben edhe gjallërimit të jetës kulturore të qytetit për sezonin turistik. Unë gjej rastin të falënderoj Televizionin Klan që solli këtë aktivitet në qytetin e Pogradecit”.

Në natën e dytë të këtij edicioni kanë performuar këngëtarë mjaft të njohur si Mustafa Mehja, Eranda Libohova, Françesk Radi, Ermira Kola, Lazarela, Eglantina Toska, grupi i këngës pogradecare, Silva Gunbardhi dhe Paro e shuam të tjerë të cilët u kanë dhënë jetë edhe njëherë perlave të muzikës popullore shqiptare.

Eranda Libohova: “Të veçanta e këtij edicioni të tretë të maratonës është pikërisht startimi nëpër qytete të ndryshme të Shqipërisë, organizimi është i përsosur, këngëtarët janë shumë të zgjedhur, janë nga treva të ndryshme të Shqipërisë, Kosovë, Maqedoni”.

Ermira Kola: “Është një edicion që mua më ka pëlqyer gjithmonë që ta ndjek është dëshira ime aq më shumë që të tilla këngë janë shumë të pëlqyer dhe në publikun shqiptarë. Kënga popullore qytetare nuk vdes asnjëherë dhe mua më pëlqen të jem pjesë e atij spektakli”.

“Na pëlqen shumë, na kënaqi, po kalojmë një kohë shumë të bukur”.

“Heqim lodhjen, stresin e ditës, po kënaqem jashtë mase”.

“Na kënaqi dhe na pëlqen shumë. Dalim nga rutina e përditshme”.

Pjesëmarrje dhe interesi i jashtëzakonshëm i ka befasuar edhe vetë organizatorët e Maratonës.

Bledar Laço: “Ajo nisëm që ne e morëm para shumë vitesh për t’i rikthyer publikut këngën e vërtetë popullore qytetare, ka funksionuar më së miri, sepse siç e shihni edhe vetë populli jonë, ky lloj publiku i jashtëzakonshëm ka nevojë vetëm për perlat dhe për muzikën tonë të vërtetë popullore dhe qytetare”.

Ndalesa e radhës e Maratonës së Këngës popullore do të jetë qyteti i Fierit. Ndërsa të dielën do transmetohet në ekranin e Televizionit Kombëtar Klan nata e parë e këtij spektakli, ajo që pushtoi gjithë qytetin e Elbasanit./tvklan.al

Gazetari: Edian Gjoni

Operatori: Beni Haxhia