Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku në një intervistë me gazetarin Blendi Fevziu në studion e emisionit “Opinion” në Tv Klan u ndal edhe të marrëdhëniet e Kosovës me ndërkombëtarët dhe Shqipërinë.

Abdixhiku e ka lidhur këtë marrëdhënie mes dy vendeve me populizmin ku theksoi se të kesh përplasje e bën të lehtë diskursin publik. Kryetari i LDK-së tha se Kosova dhe Shqipëria kanë shumë të përbashkëta dhe duhet të ecin krah njëra-tjetrës.

Blendi Fevziu: Raportet mes Kosovës dhe Shqipërisë janë ndër pikat më të dobëta që kanë qenë ndonjëherë falë edhe raporteve personale mes Ramës dhe Kurtit jo mes dy shoqërive. Çfarë po ndodh realisht?

Lumir Abdixhiku: Populizmi këtë ka, nuk mbijeton në projekte në zhvillim, nuk mbijeton në një spital më të mirë, shkollë më të re, një rrugë të shtruar, mbijeton në kriza në polarizim. Polarizimi ngrihet lartë dhe pastaj bëhet fare e lehtë. Të kësh përplasje e bën të lehtë diskursin publik të sharjes, ofendimit dhe mobilizimit. Unë besoj që kjo qasje përcjell Kosovën gjithandej, jo vetëm me Shqipërië dhe Maqedoninë dhe me aleatët tanë. Ne jemi të polarizuar dhe me aletatë tanë tradicional që kemi pasur. As në ëndrrat tona më të rënda nuk e kemi menduar që ne do të polarizohemi edhe me Shqipërinë dhe ne SHBA, BE dhe NATO e aq më pak edhe me shqiptarët në rajon. Është stil populist, por që është fatkeq pasi Shqipëria dhe Kosova kanë shumë të përbashkëta dhe kanë sfida e të ardhme të njëjta pra sikurse ju dhe ne kemi rrugën e integrimit euroatlantik përpara. Mund të mësojmë tepër nga Shqipëria, por edhe na duhet një aleat në rrugën ndërkombëtare.

Ndërkohë gjatë intervistës Abdixhiku u shpreh se Shqipëria tashmë është bërë një qendër rajonale ku përmendi turizmin dhe vizitat e liderëve të Europës dhe botës. Ai u shpreh se mburren me këto arritje që ka bërë Shqipëria pasi kjo ka qenë një ëndërr e fëmijërisë së tyre.  

Lumir Abdixhiku: Kur e sheh nga jashtë që vijnë të gjithë liderët evropian dhe botërorë në Shqipëri, teksa ka një turizëm më të zhvilluar në krahasim me rajonin nuk është se nuk të bëhet zemra mal. Ju duket se i keni hapur rrugët mirë edhe investimeve dhe projekteve. Unë nuk i di problemet ditore, por shoh nga jashtë Shqipëria është bërë një qendër rajonale dhe për këtë mburemi të gjithë sepse ka qenë ëndrra e fëmijërisë sonë./tvklan.al