Prokuroria e Posaçme ka kërkuar burgim të përjetshëm për Laert Haxhiun, të akuzuar për masakrën e Lushnjes e ndodhur në Shtator të vitit 2017 ku humbën jetën Jurgen Hoxha dhe Zamir Latifi, dhe u plagosën Marjus Xhepexhiu dhe Bujar Turku.

Shënjestër e atentatit, sipas SPAK, ka qenë Xhulio Shkurti, nipi i Aldo Bares, i cili mundi të shpëtonte, por nga breshëria e armëve u vranë Hoxha dhe Latifi.

Të dënuar për këtë ngjarje me burgim të përjetshëm janë edhe Anterio Kaloshin dhe Orges Bilbilin, bashkëpunëtorët e afërt të Laert Haxhiut.

Avokati i Laert Haxhiut, Artan Simoni kërkoi kohë nga Gjykata e Posaçme që të njihej me konkluzionet e prokurorisë, për këtë arsye seanca e radhës u caktua më datë 24 Prill ora 14.00.

Shkak për ngjarjen e Lushnjes, u bë një konflikt i vjetër që familja Haxhiu kishte me familjen Bare. Banda e Aldo Bares i dogji banesën xhaxhait të Laert Haxhiut, për këtë shkak ky i fundit vendosi të marrë hak ndaj tij.

Ngjarja e 11 Tetorit ndodhi në vetëm 32 sekonda. Sipas konkluzioneve të prokurorisë, ndonëse në automjetin nga u qëllua ishin tre persona, vetëm dy prej tyre qëlluan me armë zjarri të llojit kallashnikov.

Aktualisht Laert Haxhiu është i arrestuar në Greqi në pritje të vendimit për ekstradim në Shqipëri me kërkesë të autoriteteve shqiptare.