Në një deklaratë të shpërndarë të shtunën Prokurorja e Përgjithshme Ina Rama shprehet se vendimi i gjykatës së Tiranë nuk ka lodhje me ministrin Lulzim Basha, por e vërteta është krejt tjetër.

Gjykata e Tiranës me vendimin e saj të datës 18 nëntor, nuk ka vendosur për asnjë person nën hetim për autostradën Durrës-Kukës-Morinë, por vetëm për çështjen e kësaj rruge.

Në vendimin e saj gjykata ka hedhur poshtë kërkesën e prokurorisë për vazhdim të mëtejshëm të hetimeve. Pra ka vendosur për mos zgjatjen e afatit të hetimit, çka nënkupton se çdo veprim i prokurorisë është jo ligjor.

Interpretimi i zonjës Rama për këtë vendim është sa jo profesional aq edhe politik. Gënjeshtra e dytë e zonjës Rama në këtë deklaratë qëndron në faktin, se sipas saj njohja e shtetasit me akuzën është akt-procedural dhe jo hetimor.

Kjo ka qenë e vërtetë në vitet e Rrapi Minos dhe diktaturës komuniste, kur  njerëzit e pambrojtur dëgjonin gojë mbyllur akuzat e trilluara që u lexonte prokurori.

E kundërta ndodh në një vend të lirë, njohja me akuzën apo marrja e të pandehur përbëjnë aktet kulmore hetimore. Kjo sepse ligjet e një vendi të lirë parashikojnë të drejtën e shtetasit dhe mbrojtjes së tij, për të shprehur të gjitha qëndrimet e tyre gjatë njoftimit të akuzës, vlerësimin, pranimin, apo mos pranimin, të drejtën e tyre për të kërkuar sqarime dhe për t’u pyetur.

Qëndrimi i zonjës Rama nuk buron nga ligji, por është thjesht një mashtrim tjetër i saj për qëllime të mirëfillta politike. Zonja Rama mashtron, kur thotë se thirrja e zotit Basha ishte thjesht një akt-procedural. Kur vetë harron se në letrën e dërguar ministrit Basha më 24 nëntor, e njofton atë për paraqitje në prokurori për t’u njohur me akuzën dhe për të pyetur në cilësinë e të pandehurit.

Me të drejtë ata që lexojnë deklaratën e 29 nëntorit të zonjës Rama dhe letrën dërguar pak ditë më parë, konstatoi se kemi të bëjmë, jo me një por me dy Ina Rama, kur deklaron se vendimi i gjykatës së Tiranës nuk ka vlerë për ministrin Basha, se për të vendos vetëm Gjykata e Lartë.

Në këtë rast kemi të bëjmë me një mashtrim të shumëfishtë dhe të qëllimshëm. Sepse prokurori i Ina Ramës, Arben Kraja ditën gjykimit të kërkesës së tij në gjkykatën e Tiranës për zgjatjen e hetimeve i kërkoi gjykatësit të mos shqyrtonte çështjen sepse nuk ishte juridiksioni i tij.

Por gjykatësi mbi bazën e ligjeve të vendit dhe të precedentëve ligjor vendosi rrëzimin e kërkesës së prokurorit, e cila në fakt ishte një kërkesë tërësisht politike dhe jo ligjore.

Në Shqipëri dhe në çdo vend tjetër të lirë çdo qytetar dhe jurist jo politik e dinë së të drejtat e njeriut pavarësisht nga detyra dhe pozicioni i tij mbrohen në çdo shkallë të sistemit gjyqësor.

Deklarata e mbrëmjes së të shtunës fakton se Ina Rama është thjesht një instrument i keqpërdorur për qëllime politike. Sidoqoftë prokurorja e përgjithshme është vetëm një, por e keqpërdorur dhe e manipuluar për qëllime të pastra politike në mënyra të ndryshme nga të tretët./tvklan.al