Nisma e demokratëve për të ngritur një komision parlamentar që do të hetojë marrëdhëniet mes ministrisë së Drejtësisë dhe ministrisë së Brendshme dhe organit të akuzës, nuk pritet në unison nga partitë e koalicionit të djathtë.

Ndërkohë që republikanët mirëpresin këtë propozim të aleatit të tyre kryesor, PBDNJ shprehet kundër në parim për ngritjen e një komisioni të tillë.

Arjan Madhi: “Nëse formalizohet një kërkesë e tillë, atëherë besoj ajo është çdo kërkesë është në përputhje me kushtetutën dhe si e tillë ajo do të mund të përbënte obligim për parlamentin, pra ngritjen e një komisioni hetimor dhe nëse ky objekt do të konsistonte me faktin që parlamenti në çdo rast duhet të ushtrojë funksionet e tij për të garantuar parimin check and balance, sigurisht PR  ka qenë dhe do të mbetet e vendosur për të mbështetur çdo nisëm të tillë.”

Spiro Peçi: “Ky komision nuk ka çfarë heton, sepse efektivisht, marrëdhënia midis tyre janë të pacaktuara në ligj dhe konkretisht në ligjin për organizimin e funksionimin e ministrisë së Drejtësisë si dhe në ligjet e tjera. Pra është shumë e qartë  ku fillon kompetenca e ministrit të drejtësisë në marrëdhënie me prokurorinë e përgjithshme dhe ku mbaron.”

Ndërkohë grupi parlamentar socialist është shprehur kundër nismës së demokratëve dhe kanë deklaruar, se nuk do të jenë pjesë e një komisioni të tillë, në rast se kërkesa e demokratëve formalizohet.

Propozimi për ngritjen e një komisioni parlamentar u bë publik nga kryeministri Berisha në fillim të kësaj jave. Nisëm kjo e ndërmarrë duket edhe e shtyrë nga përplasjet institucionale mes dy ministrive dhe prokurorisë së përgjithshme. Përplasje që kulmuan në rastin e çështjes Fazlliç.

Rregullorja e parlamentit parashikon që, nëse një nisëm parlamentare qoftë kjo dhe për ngritjen e një komisioni hetimor parlamentar mbështetet nga firmat e 28 deputetëve të Kuvendit, atëherë kjo nisëm zyrtarizohet./tvklan.al

Gazetare: Elja Zotka