Prokuroria e Korçës ka deklaruar mbylljen përfundimtare të çështjes Trebicka. Pas ekspertizës mjeko-ligjore, asaj autoteknike si dhe dëshmive të marra, organi i akuzës ka në përfundimin, se Kosta Trebicka ka vdekur si pasojë e një aksidenti në rrugën Lekas-Korçë.

Në një deklaratë për shtyp grupi hetimor i përbërë nga dy prokuror dhe dy oficerë të policisë gjyqësore, kanë mbërritur në konkluzionin se Trebicka është përgjegjës i vetëm për vdekjen e tij aksidentale.

Përparim Vukaj: “Duke marrë në analizë të gjitha provat e administruara në procedimin penal numër 1006 të vitit 2008, si proces-verbali i këqyrjes së ngjarjes, procesverbal i këqyrjes së kufomës, tabela fotografike dhe kasta filmike e vendit të ngjarjes, këqyrja e automjetit, këqyrja e kufomës, aktet e ekspertimeve mjeko-ligjore dhe kriminalistike, aktet e ekspertimeve autoteknike dhe topografike. Procesverbalet e këqyrjes së marrjes dhe sekuestrimit të të gjitha provave materiale, pyetjes së dëshmitarëve, e të gjitha këto veprime të tjera të administruara në procedimin penal të mësipërm, arrijmë në një konkluzion se i ndjeri Kosta Trebicka me veprimet e tij ka shkaktuar këtë aksident që ka sjellë pasojë vdekjen e tij.”

Prokurori Vukaj ka shpjeguar dhe dinamikën e ngjarjes, ku në pamje kompjuterike tregohet se si mjeti i drejtuar nga Kosta Trebicka ka dalë nga rruga, është përmbysur dhe ka ndalur i ndezur 42 metra nga vendi i batimit.

Sipas përshkrimit makina tip Nissan Patrol ishte duke udhëtuar në anën e djathtë të rrugës. Kur goma e majtë ka hypur mbi një bregore dhe siç thuhet ne deklaratë automjeti është kthyer majtas për shkaqe të paditura.

Për shkak të shpejtësisë mjeti është rrokullisur duke shkaktuar daljen e drejtuesit nga kabina si pasojë e mos vënies së rripit të sigurimit.

Përparim Vukaj: “Ky fat në rastin konkret nuk parashikohet nga ligjet si vepër penale. Në këto kushte procedimi penal numër 1006 të vitit 2008, i filluar për shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor duhet të pushohet.”

Prokuroria e Korçës i ka dhënë kështu fund çdo aludimi mbi arsyet e vdekjes së biznesmenit Trebicka. Organi i akuzës në këtë rreth ka dalë në të njëjtin konkluzion sikurse eksperti amerikan Teter, se vdekja e Trebickës ishte një gabim njerëzor.

Por pasi kanë thënë fjalën e fundit ekspertët e hetimit, ajo çfarë bie në sy është heshtja e prokurorisë së përgjithshme lidhur me ngjarjen. Edhe pse kur ndodhi aksidenti prokurorja e përgjithshme tregoi mjaft interes, duke u gjendur vetë në vendngjarje.

Tashmë që çështja konsiderohet e mbyllur si për çudi Ina Rama nuk bën asnjë koment. Si për të treguar se ndoshta një variant tjetër mbi ngjarjen do t’i kishte interesuar më shumë./tvklan.al

Gazetare: Daniela Zisi