Një qytet i tërë është vënë në lëvizje për Milanin që mbërriti në Shqipëri pak pas mesditës, për të luajtur takimin e shumë pritur më Tiranën. Yjet e klubit me më shumë trofe në botë kanë qenë në vëmendjen e tifozëve dhe gazetarëve gjatë të gjithë ditës, përfshirë konferencën e shtypit të mbajtur pak përpara ndeshjes.

Përpara mediave më në fund është shfaqur Ronaldinho dhe Maldini, të cilët deklaruan se mbetën të befasuar nga pritja që iu bë në Shqipëri.

Ronaldinho: “Jam i kënaqur që jam te Milan, jam i kënaqur që jam këtu dhe shpresoj të jetë një mbrëmje e bukur.”

Paolo Maldini: “Shpresoj të japim një shfaqje të bukur dhe ndoshta kjo të përsëritet në të ardhmen pasi shpesh futbolli dhe socialja ecin bashkë.”

Carlo Anceloti: “Ju falënderoj për mikpritjen, për ngrohtësinë që na dhatë në këto orë. Tani kemi ndeshjen dhe të mundohemi të nderojmë këtë duke luajtur mirë për t’u argëtuar.”

Takimi miqësor Tirana-Milan do të ketë në fund një fitues Taçi Oil, por qëllimi i vërtetë i këtij spektakli sportiv është padyshim bamirësia. Milan do të dhurojë 100 mijë euro, të cilat do të shërbejnë për të pajisur me libra 100 biblioteka shkollash në vendin tonë./tvklan.al

Gazetar: Endrit Sauku