Përurimi i landfillit të përpunimit të mbetjeve urbane të kryeqytetit është bërë objekt i një polemike të gjatë mes bashkisë dhe ministrisë së punëve publike. Kryebashkiaku Rama e quajti inaugurimin nga ana e ministrit Olldashi si vjedhje të projekteve të bashkisë nga qeveria.

Edi Rama: “Kryeministri që s’di të punojë, por vetëm të gënjejë rrëmbeu sot autorësinë e një pune që ka nisur në vitin 2001, me kërkesën time këmbëngulëse ndaj qeverisë italiane. Për të financuar rehabilitimin dhe modernizimin teknologjik të fushës së përpunimit të mbeturinave të kryeqytetit. Unë skam asnjë problem me faktin që qeveria  shkon në fushën e sistemuar të plehrave të Tiranës. Sepse nuk mësoi se si bëhen punë të mira me njerëzit tanë.”

Reagimi i Ramës u pasua nga një deklaratë e ministrit Olldashi i cili tha se autorësia mbi projektin nga nisja e tij deri në zbatim i përket qeverisë duke e faktuar këtë me dokumente.

Sokol Olldashi: “Ky është vendimi i qeverisë i 23 nëntorit 2005. Për miratimin në parim të marrëveshjes financiare ndërmjet këshillit të ministrave dhe republikës së Shqipërisë … për financimin e programit të menaxhimit të mbetjeve ngurta të Tiranës. Në qoftë se nuk ka guximin qytetar si kryetar i bashkisë së Tiranës për të thënë faleminderit qeverisë për punën që po bën që qytetin që unë drejtoj. Të paktën të heshti, përndryshe fjalët e tij si ajo e sotmja, unë ftoj që ti merrni dhe ti çoni te parcela e parë e Sharrës që inauguruam sot.”

Por bashkia i është kundërpërgjigjur edhe kësaj deklarate duke prezantuar komente të tjerë që sipas saj rrëzojnë pretendimet e ministrit Olldashi.

Eduard Shalsi: “Ja dokumenti që provon mashtrimin e tij. Kjo është baza ligjore e këtij projekti që ne kemi iniciuar që në vitin 2002 dhe që Sali Berisha me të paftat e tij e zgjatën dhe e futën në paranale të pambarimta.”

Ndërsa dy institucionet kanë hyrë në spiralen e deklaratave për autorësinë e projektit ndërtimi i landfillit pritet ti japë zgjidhje problemit të mbetjeve urbane në kryeqytet./tvklan.al