Hungaria është radhitur në grupin e vende që mbështesin aplikimin e Shqipërisë si vend kandidat për në BE. Fakti është konfirmuar gjatë vizitës që zhvilloi atje ministri i Punëve të Jashtme Lulzim Basha.

Takimi me homologen Kinga Goncz shërbeu për të konfirmuar dhe një tjetër angazhim të qeverisë hungareze, të mbështesë procesin e liberalizimit të vizave Shqipëri-BE.

Gjithçka u bë e ditur në një konferencë të përbashkët për shtyp të kryediplomates hungareze me ministrin Basha. 

Kinga Goncz: “Ne vlerësojmë shumë rolin e Shqipërisë në proceset stabilizuese në rajonin e Ballkanit Perëndimor. Duke qenë njëkohësisht të bindur që ky është një pozicion shumë delikat. Janë bërë hapa shumë serioze të Shqipërisë për afrimin e saj me BE-në dhe Hungari mbështet plotësisht Shqipërinë në aplikimin e saj për statusin e vendit kandidat në BE. Theksoj edhe njëherë mbështetjen e Hungarisë për Shqipërinë, në çuarjen përpara të këtyre proceseve gjithashtu do të çojmë përpara nivelin e bashkëpunimit tregtar me Shqipërinë, pasi ajo demonstron një stabilitet shumë të qartë ekonomik me gjithë krizën globale botërore.”

Hungaria është vendi i parë që ratifikoj protokollin e anëtarësimit të Shqipërisë në NATO. Një fakt që ministri Basha përmendi për të falënderuar autoritetet e larta hungareze për mbështetje.

Lulzim Basha: “Ne jemi të ndërgjegjshëm që janë reformat ato që kanë siguruar mbështetjen për kursin tonë dhe jemi të vendosur të vazhdojmë përpara me këto reforma. Dua me këtë rast të jap një mesazh investitorëve hungarez se Shqipëria është një vend mik, i cili është i hapur, i mirëpret dhe investitorët hungarez do të gjejnë ngrohtësi, siguri dhe miqësinë e nevojshme për të ndërtuar bizneset e tyre.”

Konferenca për shtyp pasoi një sërë takimesh të rëndësishme. Ku ministri Basha bëri një ekspoze të reformave që ka ndërmarrë Shqipëria duke u ndalur në veçanti tek reformat ekonomike, ajo elektorale dhe ajo në sistemin e drejtësisë.

Dy ministrat shprehën vullnetin e qeverive për të thelluar edhe më tej bashkëpunimin ekonomik. Ministrja Goncz pohoi se me gjithë krizën aktuale ekonomike, ekzistojnë mundësitë që biznesi hungarez të jetë më aktiv në gjetjen e tregjeve të reja, nga ku Shqipëria padyshim ofron shumë mundësi.

Ministri Basha siguroi homologen e tij mbi angazhimin e palës shqiptare për të mbështetur fuqimisht projektet e biznesit hungarez në Shqipëri. Në këtë funksion dy ministrat e jashtëm, përfaqësuesit e dhomave respektive të tregtisë si dhe agjencia hungareze për mbrojtjen dhe nxitjen e investimeve, nënshkruan një memorandum bashkëpunimi, i cili do ti japë një nxitje të mëtejshme të bashkëpunimit ekonomik mes dy vendeve.

Gjatë qëndrimit të tij në Budapest ministri i punëve të jashtme Lulzim Basha pati një takim dhe me kryetaren e asamblesë kombëtare të Hungarisë si dhe zhvilloi një vizitë në universitetin e Europës qendrore në Budapest. Kreu i diplomacisë shqiptare, u fokusua në proceset e integrimit Europian dhe Euroatlantik të Shqipërisë dhe Ballkanit Perëndimor./tvklan.al

Gazetare: Menada Zaimi