Lajme Arkiva – TV Klan 2002

Spartak Poçi, Ministri i Transportit dhe Telekomunikacionit i pranishëm në analizën 6 mujore të hekurudhës shqiptare, ka përsëritur lumin e akuzave për paaftësi lidhur me treguesit shumë të dobët të sektorit të transportit të udhëtarëve.

Ne po shikojmë refuzimin e hapur të udhëtarëve për të lëvizur me trena, tha Poçi. Kjo ndodh pasi ne nuk i kemi ofruar asgjë më të mirë atyre. Stacionet janë bërë si çerdhe minjsh, tha ministri.

Spartak Poçi:- “Nuk shoh se neve kemi ofruar diçka më të mirë, përkundrazi ne vazhdojmë të ofrojmë diçka më të keqe për udhëtarët. Vazhdohet me të njëjtat të meta, biles në disa drejtime dhe të thelluara të të kaluarës. Ka një nivel shumë të ulët të shërbimeve dhe kontrollit. Përsëri çeta do thoja unë,  kompania quajeni ju, si të doni, e faturinove dhe personelit që shërben në trena, vazhdon të mos kryejë detyrat e veta, të vjedhë”.

Hekurudha shqiptare këtë fund 6 mujori kanë arritur objektiva mjaft të larta, më të larta se vetë plani përsa i përket transportit të mallrave. Lidhja me rrjetin ndërkombëtar të shinave nëpërmjet Malit të Zi, ka rritur dhe transportin e mallrave nga dhe jashtë vendit, por transporti i udhëtarëve ende mbetet në një gjendje të mjerueshme.

Ministri Poçi përsëri, ashtu si në fund të vitit të kaluar theksoi, nevojën e kryerjes së reformës në ndërmarrje e cila nuk paralizohet. Drejtoria është bërë si senati i Romës tha Poçi, një vend ku vetëm flitet dhe bllokon reformat./tvklan.al