Mirëmbajtja e stadiumit “Air Albania” ka kosto të lartë, sidomos sa i përket konsumit të energjisë elektrike.

Kështu ka pohuar Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, i cili në një intervistë për emisionin Opinion në Tv Klan, është shprehur se ka konsum të lartë energjie për të rritur barin në ato pjesë të stadiumit ku nuk ka dritë.

Në muaj të caktuar, sipas Presidentit Duka, konsumi i energjisë shkon deri në 40 mijë Euro. Por Duka theksoi se këtë vit do të vendosin panele diellore për të reduktuar shpenzimet elektrike.

Blendi Fevziu: Stadiumin ju e administroni?

Armand Duka: Stadiumi administrohet nga ne, pjesa sportive.

Blendi Fevziu: Është i shtrenjtë?

Armand Duka: Menaxhimi i stadiumit kushton dhe gjëja që kushton më shumë është energjia elektrike në stadium.

Blendi Fevziu: Po pse nuk vendosni panele diellore?

Armand Duka: Do i vendosim tani. Nuk ka qenë e lehtë për arsye të legjislacionit shqiptar, tani është koha e përshtatshme që duhet t’i vendosim dhe këtë vit besoj se do t’i vemë.

Blendi Fevziu: Sa ju shkon mirëmbajtja e stadiumit? Pashë një makinë që më thanë që kushton ndoshta 400 mijë Euro.

Armand Duka: Ajo makina që është me ndriçues për rritjen e barit edhe me ventilator për ta ajrosur, bari ka kushtuar vërtetë shumë, por kosto më e madhe është shpenzimi i energjisë elektrike për të, sepse duke qenë stadium i mbyllur, sidomos kjo pjesa jugore nuk merr dritë dhe do ta mbash barin me dritë artificiale dhe ajo na kushton. Ka muaj që shpenzojmë dhe 40 mijë Euro energji elektrike.

/tvklan.al